Murat Karadağ
08 Shkurt 2023•Përditësim: 08 Shkurt 2023
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, njoftoi se vendi i tij do të dërgojë një ekip ekspertësh për të mbështetur përpjekjet e kërkim-shpëtimit në Türkiye, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit në shtypin australian, Albanese në mbledhjen parlamentare informoi se po bëhen përgatitjet për dërgimin e ekipit në Türkiye për kërkim-shpëtim pas tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, me qendër Kahramanmaraş, që prekën 10 provinca.
Albanese deklaroi se Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Emergjencave Australiane, Shërbimi Zjarrfikës i New South Wales, ministria e Jashtme dhe e Mbrojtjes po punojnë për të dërguar ekipin e kërkim-shpëtimit.
Duke u shprehur se synojnë ta kenë ekipin në terren deri në fund të javës, Albanese tha: “Do të doja të falënderoja stafin dhe familjet e tyre që do të marrin pjesë në ekip. Si gjithmonë, ata janë të gatshëm të shkojnë kudo që ka nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Në emër të popullit të Australisë, u uroj atyre një udhëtim të sigurt".
Duke thënë se qeveria australiane do të ndajë 10 milionë dollarë australianë për ndihmën humanitare që do të përfshijë ushqimin, strehimin dhe nevojat urgjente, Albanese tha: "Unë e di që shumë australianë duan të ndihmojnë. Mënyra më efektive për të ndihmuar është përmes donacioneve që do të bëhen përmes organizatave joqeveritare”.