Aynur Ekiz
18 Janar 2017•Përditësim: 18 Janar 2017
ANKARA (AA) – Ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdağ deklaroi sot në Ankara se arrestimi i terroristit të DEASH-it, i dyshuar për sulmin terrorist në natën e Vitit të Ri në Stamboll, është sukses i madh i policisë turke dhe se hetimi i mëtejshëm do të sjell informacione të rëndësishme për organizatat terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).
Bozdağ ishte mysafir në panelin editorial të AA-së në Ankara, ku është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve dhe redaktorëve të AA-së nga e gjithë bota dhe u përqendrua në ndodhitë aktuale në Turqi.
Ai u përqendrua edhe në arrestimin e terroristit Abdulgadir Masharipov, i cili dyshohet për kryerjen e sulmit terrorist gjatë natës së Vitit të Ri, në klubin e natës Reina në lagjen Ortakoy të Stambollit, në të cilin humbën jetën 39 persona, ndërsa disa dhjetëra u plagosën.
Bozdağ tha se operacioni i arrestimit me sukses përfundoi falë punës me përkushtim të policisë turke.
“Nga sulmi në Reina është bërë hetim detajor, nga shikimi i video-incizimeve, e deri te të dhënat tjera dixhitale, policia praktikisht ndoqi gjurmët e terroristit dhe e arrestoi. Ky është sukses i madh për policinë tonë”, tha ministri Bozdağ.
Ai theksoi se është shumë e qartë lidhja e këtij sulmi terrorist me DEASH-in dhe se të gjitha dëshmitë e grumbulluara deri tani çojnë në këtë organizatë terroriste. Bozdağ theksoi se arrestimi i terroristit i cili sulmin e kreu në emër të DEASH-it është shumë me rëndësi, duke marrë parasysh faktin se hetimi i mëtejshëm do të sjell edhe informacione të rëndësishme lidhur me organizatën terroriste.
Bozdağ po ashtu kujtoi se në operacionin e terroristit të DEASH-it kanë qenë të përfshirë mbi 2.000 policë.