Tuğçenur Yılmaz
09 Prill 2019•Përditësim: 10 Prill 2019
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se përshkallëzimi i fundit në Libi duhet të trajtohet përmes dialogut dhe jo nëpërmjet agresionit ushtarak, raporton Anadolu Agency (AA).
"Uniteti dhe solidariteti i Libisë duhet të sigurohen përmes një konference të organizuar nga OKB dhe jo me ndërhyrje ushtarake", deklaroi Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Katari, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.
"Kërkimi i zgjidhjes në Libi përmes rrugëve ushtarake do t'i sillte katastrofë Libisë dhe libianëve", shtoi kryediplomati turk, duke shprehur mbështetje për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të Libisë.

Të enjten e kaluar, Khalifa Haftar, komandant ushtarak në Libinë lindore, nisi një operacion ushtarak për të kapur kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB. Megjithë suksesin fillestar, fushata ushtarake të hënën humbi vrullin.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.