Kübra Chohan
22 Shkurt 2018•Përditësim: 23 Shkurt 2018
ANKARA (AA) - Njëzet e pesë gazetarë sirianë, aktualisht të regjistruar në një kurs të gjuhës turke në Institutin Yunus Emre (YEE) në Gaziantep të Turqisë, vizituan selinë e Anadolu Agency (AA) në kryeqytetin turk Ankara.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AA-së dhe Kryeredaktori Metin Mutanoğlu, Kryeredaktori i Lajmeve Ndërkombëtare Faruk Tokat dhe Kryeredaktori i Lajmeve në Gjuhët e Huaja Mehmet Öztürk mirëpritën gazetarët në selinë e agjencisë.
Mutanoğlu tha se gazetaria është profesion i shenjtë, ashtu si profesioni i mjekëve dhe mësuesve.
"Ashtu si një mjek i cili ndonjëherë shpëton jetën e një njeriu, edhe gazetari gjithashtu nganjëherë mund të shpëtojë jetën e mijëra njerëzve me rrëfimet e tyre", tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se sirianët që vendosin të qëndrojnë në Turqi pas përfundimit të luftës në Siri do të krijojnë një lidhje të qëndrueshme mes dy vendeve.
"Ne i shohim ngjarjet në Siri sikur të ndodhnin në shtëpitë tona. Kjo është arsyeja pse ne po bëjmë përpjekje për ta bërë botën t'i dëgjojë problemet me të cilat përballet Siria", tha Mutanoğlu.
Siç tha Mutanoğlu, AA ka rreth 20 punonjës në Siri, kurse fotografitë dhe pamjet që ata kanë dërguar janë shfaqur në mediumet ndërkombëtare.