Tutku Şenen
17 Dhjetor 2016•Përditësim: 17 Dhjetor 2016
STAMBOLL (AA) – Mbi 50 ushtarakë të profilit të lartë janë arrestuar të shtunën anembanë Turqisë si pjesë të një hetimi që po bëhet kundër organizatës terroriste FETÖ, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykata e Stambollit për Krime, lëshoi të shtunën fletarreste për 530 ushtarakë përfshirë 280 oficerë dhe 250 nënoficerë rreshterë. Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit tha në një deklaratë se 53 ushtarë janë arrestuar deri më tani.
Aktualisht po kryhen operacione të koordinuara për të zbuluar dhe arrestuar të dyshuarit e tjerë, disa nga të cilët kanë qenë përdorues të aplikacionit ByLock për këmbim të mesazheve përmes smartfonëve, që lidhet me tentativën për grusht shteti më 15 korrik.
Aplikacioni është zbuluar nga agjencitë e sigurisë në Turqi para tentativës për grusht shteti, duke bërë ata të kalojnë në përdorimin e mesazheve të shërbimit WhatsApp, por jo para se të identifikohen dhjetëra mijëra të dyshuar të FETO-s.
Organizata terroriste FETO, të cilën e udhëheq Fethullah Gülen, me infiltrimin e anëtarëve në të gjitha institucionet e shtetit turk tashmë disa vite ka punuar për përmbysjen e pushtetit legal dhe legjitim në këtë vend.
Akti i fundit konkret i kësaj organizate ndodhi më 15 korrik, kur pjesëtarët e ushtrisë turke të besuarit e Gülenit tentuan të kryejnë grusht shteti, ndërsa i parandaloi populli që doli në rrugë dhe policia.