Zafer Çakmak
17 Dhjetor 2016•Përditësim: 17 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) - Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë njoftoi se në sulmin me autobombë të kryer rreth orës 08.45 me orën lokale ndaj automjetit që transportonte ushtarët dhe rreshterët që kishin dalë me leje nga komanda e brigadës së komandove në Kayseri kanë rënë dëshmorë 13 ushtarë dhe janë plagosur 55 ushtarë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë thuhet se "Sot, më datë 17 dhjetor 2016 në sulmin me autobombë të kryer ndaj automjetit që transportonte ushtarët dhe rreshterët në Kayseri kanë rënë dëshmorë 13 ushtarë dhe janë plagosur 55 ushtarë të tjerë."
Në deklaratën ku theksohet se ka nisur trajtimi mjekësorë për të plagosurit e dërguar në spitalet në rajon, vlerësohet se në këtë sulm të pabesë mund të ketë të plagosur edhe nga qytetarët civilë.
Ndër të tjera në deklaratë thuhet "Mallkojmë ashpër këtë sulm të ulët dhe të pabesë që është kryer. Mëshira e Allahut qoftë mbi dëshmorët trima që kanë humbur jetën në këtë sulm, ngushëllime për familjarët, personelin punonjës të forcave të armatosura turke dhe për popullin turk si dhe urojmë shërim të shpejtë për kolegët tanë heronj dhe qytetarët që janë plagosur."
"Lufta e Turqisë kundër terrorizmit do të vazhdojë me vendosmëri"
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë, gjenerali Hulusi Akar, në lidhje me sulmin terrorist në qytetin Kayseri tha se "Lufta jonë kundër terrorizmit brenda dhe jashtë vendit do të vazhdojë me një këmbëngulje dhe vendosmëri në rritje deri në neutralizimin e terroristit të fundit".
Gjenerali Akar i cili që prej dy ditësh ndodhet për inspektime në njësitë kufitare në qytetet Gaziantep dhe Kilis ka bërë një deklaratë për AA-në në lidhje me sulmin terrorist të ndodhur në qytetin Kayseri.
Duke dënuar sulmin e ndërmarrë ndaj automjeti i cili transportonte ushtarët dhe rreshterët që kishin dalë me leje, Akar ka shtuar se lufta e Turqisë kundër terrorizmit do të vazhdojë me këmbëngulje dhe vendosmëri.
"Tradhtarët do të mbyten në gjakun që kanë derdhur"
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka reaguar në rrjetin social Twitter, pas sulmit me bombë në qytetin Kayseri në të cilin, sipas informacioneve të para, kanë humbur jetën së paku 13 ushtarë.
“Tradhtarët që dëshirojnë të cenojnë paqen tonë, le ta dinë se do të mbyten në gjakun që kanë derdhur. Keqbërësit që bëjnë kurthe do të rrafshohen për toke”, porositi Cavusoglu.
Ai shtoi se dhimbja e popullit turk momentalisht është e madhe, dhe dërgoi mesazhe ngushëllimi për familjet e viktimave ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.