Muhammet Tarhan
15 dhjetor 2021•Përditësim: 16 dhjetor 2021
Kryetari i Institutit kulturor turk "Yunus Emre", Şeref Ateş, tha se instituti synon të hapë 10 qendra të reja në Afrikë vitin e ardhshëm përderisa vendi i jep prioritet zhvillimit të lidhjeve "humanitare dhe të drejtuara nga besimi" me vendet afrikane.
Ateş për Anadolu Agency (AA) tha se instituti shërben si "ambasador kulturor" jashtë vendit, duke i ndihmuar Turqisë të krijojë lidhje humanitare me botën.
Vërejtjet e kryetarit Ateş vijnë para Samitit të 3-të të Partneritetit Turqi-Afrikë, i cili do të mbahet në Stamboll më 16-18 dhjetor.
Instituti aktualisht ka 10 qendra në Afrikë, tha Ateş, duke shtuar se ky numër është nën objektivin e tyre.
"Ne duhet të hapim qendra në të paktën 20-25 shtete tjera nga gjithsej 54 shtetet në Afrikë për shkak se kemi qenë të distancuar nga kontinenti afrikan dhe shtetet afrikane për dekada", tha ai.
Duke u shprehur se po krijojnë "lidhje humanitare" me të gjithë popujt afrikanë, Ateş tha: "Ne nuk po punojmë në krijimin e perceptimit për Turqinë këtu në Afrikë, por në ndërtimin e besimit sa i përket Turqisë. Kjo është arsyeja pse nuk paraqesim një fotografi të trilluar për Turqinë".
"Në shtetet afrikane, ne po prezantojnë veçoritë gjeografike të Turqisë, potencialin ekonomik, veçanërisht ndjeshmërinë kulturore dhe vlerat e popullit turk", shtoi ai.
Duke i vlerësuar si "inspiruese" vizitat e shpeshta të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në kontinentin afrikan, Ateş tha se po punojnë në hapjen e qendrës në kuadër të një universiteti në Angola, pas vizitës së presidentit Erdoğan.
Ateş gjithashtu rikujtoi inaugurimin e një qendre të re kulturore në Nigeri, si dhe në kryeqytetin Rwanda-s, Kigali.
Ai theksoi se aktualisht, vetëm në qendrën në Kigali, disa qindra persona marrin pjesë në kurset e gjuhës turke.
Në lidhje me objektivat e institutit për vitin 2022, Ateş tha se do të intensifikojnë aktivitetet në Afrikë.
"Përpjekjet tona në Afrikë po vazhdojnë. Ne vazhdojmë të punojmë me ministritë përkatëse, pasi objektivi ynë është të hapim 10 qendra tjera kulturore në vitin 2022, fillimisht në Tanzani", shtoi ai.
Që nga themelimi në vitin 2009, instituti ka ofruar kurse për mësimin e gjuhës turke për më shumë se 99.000 persona në të paktën 45 shtete në botë.
I emëruar sipas poetit Yunus Emre, instituti tani ka mbi 63 qendra kulturore në botë që ofrojnë programe artistike, sociale dhe shkencore.