Barış Gündoğan
06 Janar 2023•Përditësim: 09 Janar 2023
Agjencia turke Kombëtare e Inteligjencës (MIT), ka neutralizuar një terrorist të rangut të lartë në veri të Sirisë, i dyshuar për lidhje me organizatën terroriste MLKP, njoftuan burimet e sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Zeki Gurbuz, me emrin e koduar Ahmet Sores, ishte objektiv i operacionit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës turke në provincën Al-Hasakah", thanë burimet në kushte anonimiteti.
Ata theksuan se ai qëndron pas sulmit me raketa ndaj forcave turke të sigurisë në kufi me Sirinë në 2022 dhe sulmit ndaj makinës ku ishin rojet e burgut në provincën veriperëndimore të Bursës.
Ai u bë udhëheqës i ashtuquajtur i grupit terrorist në Türkiye në vitin 2008, pasi disa vite veproi si udhëheqës i ashtuquajtur i FESK-së, krahut të armatosur të MLKP-së.
Gurbuz u kap në Greqi në shkurt të vitit 2013. Pas refuzimit të kërkesës së Türkiye-s për ekstradimin e terroristit, Greqia e la të lirë në prill të vitit 2013. Gurbuz më pas udhëtoi nga Greqia në Irak dhe më pas në Siri, ku u bë udhëheqës i ashtuquajtur i MLKP-së.
Gurbuz erdhi si komandant i ashtuquajtur i grupit terrorist pas neutralizimit të Baran Serhat-it, me emrin e koduar Bayram Namaz, në mars të vitit 2019.
Hetimet tregojnë se Gurbuz ka menaxhuar mjetet financiare të grupit terrorist dhe ka transferuar para.
MLKP u themelua në vitin 1994, ndërsa në listën e grupeve aktive terroriste të Türkiye-s u përfshi në vitin 2007.
Ky grup terrorist është përgjegjës për shumë sulme në Türkiye dhe Siri, duke përfshirë edhe sulmin me bombë ndaj një autobusi në mars të vitit 2019 në Istanbul, ku u vranë tre civilë.