Sibel Uğurlu
18 Prill 2019•Përditësim: 19 Prill 2019
Zëdhënësi e Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se zona e sigurt nga kufiri i Turqisë me Sirinë deri në rajonin e Munbixhit "de fakto" është formuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur para gazetarëve pas një takimi të kabinetit qeveritar në Ankara, Kalın, ndër të tjera, shprehu shqetësimet dhe pritjet e Turqisë në lidhje me krizën në Siri.
"Turqia pret që procesi i tërheqjes së SHBA-së nga Siria të vazhdojë dhe zona e sigurt të formohet nën kontrollin e Turqisë," tha ai.
Washingtoni mban rreth 2.000 trupa në Siri pas njoftimit se vetëm disa qindra do të mbeten pas tërheqjes.
Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump papritmas njoftoi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, megjithatë, që atëherë, Washingtoni nuk ka marrë hapa, ndërsa në muajin shkurt tha se disa qindra trupa do të mbeten në kuadër të përpjekjeve paqeruajtëse dhe për të krijuar zonën e sigurt.
SHBA gjithashtu ka thënë se zona e sigurt nuk do të përfshinte YPG-në, degën siriane të organizatës terroriste PKK.
Edhe pse data e caktuar për tërheqje ka kaluar, SHBA ende nuk ka zvogëluar praninë e saj ushtarake në Siri.
Kalın tha se një zonë e sigurt "de fakto" është formuar nga kufiri i Turqisë me Sirinë deri në rajonin verior të Munbixhit.
Programi i avionëve F-35
Duke folur mbi programin e avionëve F-35, pjesë e të cilit është edhe Turqia dhe i cili së fundmi ka qenë subjekt i tensioneve midis Turqisë dhe SHBA-së, Kalın tha se Turqia nuk është vetëm klient i avionëve F-35, por gjithashtu edhe partner teknologjik.
"Turqia është dhe do të vazhdojë të jetë partner teknologjik i F-35. Ne nuk jemi vetëm klient apo blerës", theksoi Kalın.
Tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë janë rritur në muajt e fundit pasi Ankaraja do të fillojë të pranojë sistemin e avancuar raketor S-400 të Rusisë, për të cilin Washingtoni ka thënë se do të rrezikonte rolin e Turqisë në programin F-35 dhe mund të shkaktojë miratimin e sanksioneve në Kongres.
Turqia vendosi të blejë sistemin rus S-400 në vitin 2017, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore.