Ecenur Çolak,Tevfik Durul
22 Nëntor 2018•Përditësim: 23 Nëntor 2018
ANKARA (AA) - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në lidhje me marrëdhëniet Turqi-BE tha se mirëpresin vendimin e Turqisë për forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe për rritjen e përpjekjeve për reforma, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, të cilët ndodhen në Ankara për takimin "e dialogut politik të nivelit të lartë Turqi-BE", kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat, me ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
Takimi ishte pozitiv, konstruktiv, efikas dhe i drejtë, tha Mogherini, duke bërë të ditur se Turqia është një vend kandidat për në BE dhe një partner strategjik. Ajo shtoi se marrëdhëniet mes dy palëve janë shumë të rëndësishme për BE-në, Turqinë rajonin dhe politikën e jashtme globale.
"Turqia dhe personalisht presidenti Erdoğan, ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat dhe zbatimin e marrëveshjes për Idlibin. Ne do të flasim në sesionin e ardhshëm të dialogut për përpjekjet tona të përbashkëta në Siri. Por unë do të doja të them se pajtimi dhe zbatimi i tij luajtën një rol kritik në ndihmën për të parandaluar një krizë të madhe humanitare dhe për të hapur rrugën për një perspektivë politike për të zgjidhur krizën. Pra, ne duam të fillojmë në pikën e njohjes publikisht të rolit të Turqisë në këtë kuadër", tha Mogherini.
“BE-ja respekton jashtëzakonisht përpjekjet e Turqisë e cila strehon më shumë se 4 milionë emigrantë dhe e cila tregon përpjekje për të përmbushur nevojat e tyre. Në këtë çështje BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Turqinë dhe kur bëhet fjalë për jetën e njerëzve në rajon bashkëpunimi BE-Turqi ka një rëndësi kritike”, theksoi ajo.
Pasi theksoi se dialogu i rregullt dhe bashkëpunimi mes palëve është i domosdoshëm për çështjet si Siria, Iraku, mbrojtja e marrëveshjes bërthamore me Iranin, procesi i paqes në Lindjen e Mesme, statusi i Kudsit, Ballkani, Libisë dhe Gjirit, Mogherini tha se bashkëpunimi i ngushtë për këto çështje do të jetë në interes të rajonit dhe botës.
- BE-ja dëshiron një Turqi të fortë dhe një bashkëpunim të fortë me Turqinë
Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet e Turqisë me BE-në, Mogherini, theksoi se "Ne mirëpresim vendimin e Qeverisë së Turqisë për të forcuar marrëdhëniet me BE-në. Ne gjithashtu kemi parë deklaratat e fundit mbi Grupin e Veprimit për Reformat dhe do të takohemi përsëri në dhjetor. Unë dua të jem shumë e qartë në këtë drejtim se BE-ja dëshiron një Turqi të fortë dhe një bashkëpunim të fortë me Turqinë. Ky është qëllimi ynë, dhe është diçka për të cilën po punojmë".
Turqia dhe BE-ja janë partnerë në çështjen e sigurisë, luftës kundër terrorizmit, paqes dhe stabilitetit në rajon, u shpreh Mogherini, duke shtuar se një Turqi më e fortë do të thotë një Turqi ku mbizotëron drejtësia dhe respektohet plotësisht gjyqësori i pavarur dhe liritë themelore.
Po ashtu Mogherini tha se dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me Turqinë në fushën e energjisë, transportit dhe ekonomisë si dhe për çështje të rëndësishme të cilat janë të rëndësishme dhe për palët, por edhe për rajonin.
Pyetjes në lidhje me fillimin e një hetimi ndërkombëtar dhe gjykimin në Turqi e të akuzuarve për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili u vra në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, Mogherini iu përgjigj se për këtë çështje pozicioni i BE-së ka qenë i qartë që nga fillimi.
"Përgjegjësit e vërtetë të këtij krimi të tmerrshëm duhet të japin llogari. Për ne llogaridhënia e detyrueshme e BE-së nuk nënkupton hakmarrje. Dëshiroj të nënvizoj se jemi kundër zbatimit të çdo llojit dënimi me vdekje dhe gjithashtu do të vazhdojmë të jemi kundra kësaj. Por presim zhvillimin e një hetimi të plotë, transparent dhe të drejtë në përputhje të plotë me vlerat, principet dhe zbatueshmëritë e sistemit tonë gjyqësor", tha Mogherini, duke theksuar se gjithmonë kanë bërë thirrje për një hetim transparent dhe të besueshëm.