Mustafa Güngör
09 Dhjetor 2023•Përditësim: 11 Dhjetor 2023
Në qytetin e Izmirit në Türkiye u organizua Forumi Ballkanik i Medias, gjatë të cilit u vendos që të krijohet Unioni Ballkanik i Medias për të kryer punime për parandalimin e dezinformatave, raporton Anadolu.
Forumi u organizua nga Unioni i Mediave Turke të Internetit (TİMBİR) në bashkëpunim me Qendrën Ballkanike të Kërkimeve Strategjike (BASAM), në kuadër të një projekti të Drejtorisë së Përgjithshme të Marrëdhënieve me Shoqërinë Civile të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në kuadër të forumit u mbajt një tryezë e rrumbullakët në Drejtorinë e Komunikimeve, Drejtoria Rajonale e Izmirit, ku morën pjesë rreth 100 përfaqësues mediash nga Türkiye, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Azerbajxhani, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia.
Pas takimit u bë e ditur se është vendosur krijimi i Unionit Ballkanik të Medias me pjesëmarrjen e 11 institucioneve mediatike.
Sesionet e forumit vazhduan në Qendrën e Kongresit Ekonomik të Izmirit.
Në fjalën e tij në hapjen e forumit, Guvernatori i Izmirit, Süleyman Elban, vuri në dukje se është e rëndësishme që të veprohet me shpejtësi dhe që opinioni të informohet me lajme të sakta në mënyrë që dezinformatat të mos shpërndahen para lajmeve të vërteta.
Kryetari i TIMBIR-it, Süleyman Basa, deklaroi se po veprojnë me filozofinë se “nëse mediat bashkohen, bashkohen edhe popujt dhe bëhen më të fortë”.
Nga ana tjetër, kryetari i BASAM-it, Rıfat Sait, tha se Unioni Ballkanik i Medias që do të themelohet pas vendimit të sotëm, do të veprojë bashkërisht për të parandaluar dezinformatat.
“Por përveç kësaj, ne duam të krijojmë një agjenci të përbashkët shtypi, lajmesh dhe reklamash në Ballkan. Për ta arritur këtë, ne duhej të krijonim unitet dhe e bëmë këtu”, tha ai, duke përmendur faktin se si po bëhen përpjekje që Izraeli të paraqitet si i drejtë përkundër masakrimit të mijëra njerëzve, duke përfshirë fëmijë.
Vendimin e sotëm e përshëndeti edhe Fahrettin Kaya, shef i Departamentit të Drejtorisë së Përgjithshme të Marrëdhënieve me Shoqërinë Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme.