İzzet Taskiran
03 Prill 2019•Përditësim: 04 Prill 2019
Kompania Turkish Airlines (THY), ka njoftuar se më 5 prill, në orën 03:00 mëngjesin e së premtes do të fillojë "transferimi i madh" drejt aeroportit të Stambollit i cili është projekti i aeroportit më të madh në botë dhe që hapja e fazës së parë u zhvillua më 29 tetor 2018, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga Zyra për shtyp e THY, operacioni i trasferimit i cili nuk ka ndodhur më parë në historinë e aviacionit global i cili do të nisë me 5 prill, do të zgjasë 45 orë dhe do të përfundojë në orën 23.59 mbrëmjen e së shtunës më 6 prill.
Për realizimin me sukses të "migrimit të madh" gjatë orës 02.00 - 14.00 mëngjesin e 6 prillit aeroporti Atatürk dhe aeropoti i Stambollit do të jenë të mbyllur për të gjitha fluturimet e udhëtarëve.
Kryetari i Bordit Drejtues të Turkish Airlines, İlker Aycı, në lidhje me transferimin ka thënë: "Ne jemi të pikëlluar dhe të trishtuar që po largohemi nga shtëpia jonë 'Aeroporti Atatürk' ku kemi lindur dhe jemi rritur. Por, në anën tjetër jemi të emocionuar që qendra botërore e aviacionit do të jetë shtëpia jonë. Dy ditë më vonë, me transferimin e madh që do të nisë ditën e premte do të jetë një ndryshim i madh në aviacionin civil jo vetëm në Turqi por edhe në atë botëror. Aeroporti i Stambollit do të ndryshojë ngjyrën e qiellit me të kuqe dhe të bardhë".
- Fluturimi lamtumirës nga aeroporti Atatürk
Avioni i fundit që do të transportojë udhëtarë nga aeroporti Atatürk do të kryejë fluturimin në relacionin Aeroporti Atatürk - Singapor. Operacionet pas transferimit do të fillojnë më 6 prill në orën 14:00 në aeropotin e Stambollit. Ndërsa fluturimi i parë pas migrimit të madh do të jetë Aeroporti i Stambollit - Aeroporti Esenboğa i Ankarasë.
Fluturimet që do të kryhen në aeroportin e Stambollit do të rriten gradualisht me një plan të caktuar.
Në "Migrimin e Madh", nga Aeroporti Atatürk për në Aeroportin e Stambollit do të transportohen materiale që kanë një peshë prej 47.300 ton të cilat do të jenë të barabartë me vëllimin e 5 mijë kamionëve. Distanca që do të përshkruajnë kamionët në 45 orë llogaritet në 400 mijë kilometra, e cila përkon me rrotullimin e kamionëve 10 herë nëpër botë. Në këtë operacion të madh do të jenë me detyrë më shumë se 1.800 punonjës.
Aeroporti i Stambollit për fluturimet e kryera pas hapjes së fazës së parë kishte në përdorim kodin e fluturimeve "ISL". Pas transferimit të madh do të kryhet edhe ndryshimi i kodeve "IATA" dhe që nga 6 prilli në orën 03:00 aeroportit të Stambollit do t'i jepet kodi i aeroportit Atatürk "IST". Ndërsa aeroporti Atatürk do të përdorë kodin "ISL" për fluturimet VIP dhe ato kargo (transport).