Hakan Çopur
03 Prill 2019•Përditësim: 04 Prill 2019
Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha se marrëveshja e Ankarasë për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia është marrëveshje e kryer dhe se nuk ka kthim mbrapa në këtë aspekt, raporton Anadolu Agency (AA).
"Marrëveshja për S-400 është marrëveshje e kryer dhe nuk do të bëjmë hap mbrapa në lidhje me të. SHBA pak më parë bëri një ofertë të fundit por nuk ka garanci se do të ketë shitje", tha Çavuşoğlu në një eveniment të NATO-s në Washington të organizuar nga think-tanku i Këshillit Atlantik.
Kryediplomatë turk deklaroi se vendi i tij nuk duhet të zgjedhë midis Rusisë dhe vendeve të tjera.
"Ne nuk zgjedhim midis Rusisë dhe aleatëve të tjerë", tha Çavuşoğlu.
"Ne nuk i shohim marrëdhëniet tona me Rusinë si një alternativë ndaj marrëdhënieve tona me të tjerët dhe askush, as Perëndimi, as Rusia, nuk duhet ose mund të na kërkojnë të zgjedhim mes tyre", shtoi shefi i diplomacisë turke.
Çavuşoğlu erdhi në Washington për një takim të ministrave të punëve të jashtme të NATO-s, i cili ka tubuar diplomatët e lartë të vendeve të Aleancës në kryeqendrën amerikane.
Ministri i Jashtëm turk mbërriti në të njëjtën javë kur SHBA njoftoi se do të pezullonte të gjitha "dërgesat dhe aktivitetet" lidhur me prokurimin e Turqisë të avionëve F-35 për shkak të planeve të Ankarasë për të blerë sistemin e raketave S-400 nga Rusia.
"Trump vetë pranoi në telefon se SHBA ka bërë gabimin që nuk i ka shitur sistemin Patriot Turqisë dhe ai ka premtuar presidentit Erdoğan se do të kujdeset për këtë çështje", theksoi Çavuşoğlu.
Një zyrtar i Pentagonit dje tha për AA se pilotët turq do të vazhdojnë të stërviten në kuadër të programit të avionëve luftarakë F-35 në Arizona.