Ilkay Guder
13 Nëntor 2015•Përditësim: 14 Nëntor 2015
ANTALIA (AA) - İLKAY GÜDER - Rreth 2.500 gazetarë të cilët kanë mbërritur nga vende të ndryshme do të ndjekin Samitin e Liderëve G20 i cili mbahet për herë të parë në Turqi, ndërkohë vazhdojnë përgatitjet e tyre për Samitin, raporton Anadolu Agency (AA).
Për gazetarët që do të ndjekin Samitin në mënyrë që ato të punojnë sa më efektivisht janë vënë në shërbimin e tyre 3 qendra të mëdha të shtypit të cilat janë pajisur me teknologjitë e fundit dhe të cilat janë emëruar qendra "e kuqe", "ngjyrë qielli" dhe "blu" si dhe 6 dhoma për konferencat për shtyp. Në sallën "e kuqe" do të ketë një kapacitet prej 708 vendesh, ndërsa në atë "ngjyrë qielli" 702, dhe në "blu" 588 vende për akomodimin e gazetarëve ndaj të cilëve do të vihet në dispozicion nga stafi i personelit çdo shërbim i mundshëm që ato të kryejnë detyrën e tyre pa asnjë mangësi.
Në Samitin e Liderëve G20 i cili do të mbahet më 15-16 nëntor në Belek dhe ku Anadolu Agency (AA) do të jetë ofruesi kryesor i fotografive pritet të marrin pjesë rreth 2.500 gazetarë, ku 1.600 janë gazetarë të huaj.
- Janë përgatitur sallat e konferencave për shtyp për Erdoğanin dhe Obamën-
Ndërsa për konferencat për mediat që do të mbahen gjatë Samitit janë krijuar salla të konferencave për shtyp me një kapacitet në total prej 1 mijë e 200 personash, ku 3 salla të mëdha kanë një kapacitet prej 300 personash dhe 3 të tjera me nga 100 persona.
Dy nga sallat me kapacitet 300 persona janë përgatitur për konferencat për shtyp të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe për presidentin amerikan, Barack Obama.
Ndërsa theksohet se në sallën ku Obama do të mbajë konferencat për shtyp janë vendosur ndarëse të cilat do të ndodhen mes pjesëmarrësve dhe Obamës i cili gjatë vajtjes në foltore do të kalojë në një ndarëse të vendosur enkas për të ku dhe ekipet që do të ofrojnë sigurinë e tij kanë kryer kontrollet dhe inspektimet në vendet ku janë ngritur këto ndarëse.
- Masat e sigurisë në nivel të lartë-
Në Qendrat e shtypit për gazetarët në çdo tavolinë janë vendosur laptop dhe printer si dhe telefon për të kryer telefonata brenda dhe jashtë vendit.
Të gjitha informacionet në vend të lajmërimeve me qendër zëri do të realizohen nëpërmjet ekraneve të teknologjisë me sistemin led, dhe në çdo ambient do të ndodhen 3 tavolina dhe staf lëvizës të cilët do të jenë të gatshëm për të informuar anëtarët e shtypit gjatë organizmit të Samitit.
Ndër të tjera theksohet se në Samitin ku niveli i sigurisë është në nivelin e lartë gazetarët do të kontrollohen në çdo hyrje në qendrën e shtypit. Gjithashtu edhe automjetet në çdo hyrje të tyre në ambientet e Samitit do të kontrollohen me dedektorë dhe qentë e trajnuar për bomba.