Sertaç Bulur
20 Tetor 2022•Përditësim: 21 Tetor 2022
Gjatë operacionit ”Gazi Turgut Aslan“ të drejtuar kundër strukturave financiare të organizatës terroriste FETO, deri më tani janë kapur 626 të dyshuar. Kamerat kanë filmuar momentet kur të dyshuarit janë gjetur të fshehur në sirtarët e gardërobave, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të hetimit që zbatohet në 59 qytete turke është lëshuar urdhër arresti për 704 persona si rezultat i një hetimi të detajuar 8-mujor kundër strukturave aktuale të FETO-s, rekrutimit të anëtarëve të rinj dhe zbulimit të burimeve të financimit.
Në aksion janë përfshirë ekipi për luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar (KOM), ekipi për luftën kundër terrorizmit (TEM), shërbimi për luftën kundër krimit kibernetik, shërbimi inteligjent, si dhe shërbimi për hetimin e krimeve financiare (MASAK).
Numri i të arrestuarve në operacionin e nisur dje ka shkuar në 626. Në vendet ku fshiheshin të dyshuarit u sekuestruan rreth 26 milionë lira turke, deviza në vlerë dhe ar. Mësohet se ari dhe devizat ishin grumbulluar për t'u shpërndarë tek anëtarët e organizatës.
Gjatë kontrolleve të kryera nga njësitë operative në adresa të paracaktuara, dy anëtarë të dyshuar të FETO-s u fshehën për t'i shpëtuar arrestimit.
Erol M, një i dyshuar i arratisur në hetimet e mëparshme të FETO-s, i cili me dekret u pushua nga shërbimi publik, u kap në një pjesë të fshehtë të dollapit në një shtëpi në Ankara.
Gjatë bastisjes në qytetin Kutahya, ekipet kapën të dyshuarin Mihrac Y, i cili ishte fshehur në një pjesë të fshehtë të sirtarit të gardërobës dhe me këtë rast u konstatua se i dyshuari, i cili ishte përjashtuar nga Universiteti Dumlupinar me dekret, u zbulua se ishte i dyshuar i arratisur në hetimet e FETO-s dhe përdorues i aplikacionit ByLock, respektivisht sistemit të komunikimit të koduar midis anëtarëve të FETO-s. Këto momente janë regjistruar edhe nga kamerat.
Mësohet se në kuadër të operacionit janë kapur të gjithë të dyshuarit në 51 provinca, ndërkaq vazhdojnë operacionet për arrestimin e 78 anëtarëve të mbetur të FETO-s.
Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grusht shtetit në Türkiye natën e 15 korrikut të vitit 2016.
Kjo është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, i cili jeton në SHBA dhe ekstradimin e të cilit Türkiye e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja.
Për vite me radhë, anëtarët e kësaj organizate terroriste u ngritën në detyrë duke vjedhur provimet dhe duke u infiltruar në institucionet e shtetit. Më pas, fillimisht në dhjetor të vitit 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin e Türkiyes u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të nivelit të lartë përmes një procesi të montuar gjyqësor për korrupsion të dyshuar.
Disa vite më vonë, pasoi tentativa e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, respektivisht një përpjekje për grusht shteti e kryer nga oficerët e FETO-s të infiltruar në ushtrinë turke.
Hetimet në lidhje me organizatën terroriste FETO treguan se ky është një rrjet global që përbën kërcënim jo vetëm për Türkiyen, por edhe për çdo vend tjetër ku ajo është aktive. Këtë e kanë theksuar disa herë zyrtarët turq.
Gjatë tentativës për grusht shteti në Türkiye, ranë dëshmorë 251 persona, ndërsa 2.734 të tjerë u plagosën.