Esra Kaymak,Ekip
22 Dhjetor 2016•Përditësim: 22 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Autoritetet e Turqisë kanë arrestuar të enjten 24 persona të dyshuar për veprën “nxitje e terrorizmit në mediat sociale”, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton policia për luftë kundër terrorizmit nga provinca Mardin, shtatë të dyshuar u arrestuan nën akuzën se kanë shpërndarë postime të cilat glorifikojnë organizatën terroriste PKK.
Dy të dyshuar tjerë të cilët ishin arrestuar në po të njëjtit qytet, janë liruar me masën e kontrollit gjyqësor.
Ndërkohë, burime gjyqësore bëjnë të ditur se në provincën Çanakkala, policia ka arrestuar një të dyshuar tjetër, i cili gjithashtu akuzohet se ka promovuar PKK-në në rrjetet sociale.
Me akuza të njëjta, policia ka arrestuar në Izmir edhe dhjetë të dyshuar tjerë, bëjnë të ditur burime nga forcat e rendit, të cilët thonë se gjatë bastisjeve policia kishte zbuluar dhe konfiskuar publikime të ndaluara të cilat glorifikojnë PKK-në.
Arrestime ka pasur edhe në provincën Bitlis ku policia thotë se ka ndaluar katër të dyshuar të cilët gjithashtu akuzohen se kanë promovuar PKK-në në rrjetet sociale.
Gjatë bastisjeve janë zbuluar dokumente të rrjetit terrorist si dhe disa armë ilegale.
Turqia, SHBA-të dhe BE-ja e kanë vendosur PKK-në në listën e organizatave terroriste.