Handan Kazancı
22 Qershor 2020•Përditësim: 23 Qershor 2020
Turqia ka kritikuar sot kancelarin austriak Sebastian Kurz për komentet e tij rreth azilkërkuesve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një kumtese, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë Hami Aksoy denoncoi deklaratat e bëra nga Kurz në të përditshmen greke Kathimerini pas 20 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve.
"Ky vend, i cili mbyll kufijtë e tij para së gjithash për azilkërkuesit dhe madje propozon të ndërtojë një mur në kufi, shkel vlerat e përbashkëta të BE-së dhe njerëzimit, traktatet themelore të të drejtave të njeriut dhe Konventën e Gjenevës të vitit 1951", tha Aksoy.
Të Dielën, Kurz ishte në faqen e parë të gazetës Kathimerini, ndërsa në Twitter shkroi: "Unë gjithashtu ritheksova se nuk duhet të shantazhohemi nga Turqia. Ne duhet të ndalojmë migrimin e paligjshëm në kufijtë tanë të jashtëm, siç është kufiri grek. Kjo është edhe përgjegjësi e jona si evropianë".
Aksoy tha se Agjensia Evropiane Kufitare, e njohur edhe si FRONTEX, në të cilën marrin pjesë të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Austrinë, "duhet të zbatojë këto marrëveshje dhe ligje të BE-së, të sigurojë mbrojtje për azilkërkuesit që vijnë në kufijtë e tyre, të mos i kthejë mbrapa dhe të mos bëjë trajtim poshtërues kundër azilkërkuesve".
"Qëndrimi i Austrisë ndaj azilkërkuesve", tha ai, "nuk ndryshon nga ai i Greqisë", për të cilën Agjensia e Refugjatëve e OKB-së shprehu shqetësim në lidhje me raportimet e shumta për pretendimet për kthimin e azilkërkuesve nga autoritetet greke në kufijtë detarë dhe tokësorë të vendit.
Në deklaratë citohet edhe Dunja Mijatoviçin, komisionere e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut e cila tha se "mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe dinjiteti i refugjatëve nuk është njëra nga mundësitë, por një detyrim moral dhe ligjor që të gjitha vendet anëtare duhet të respektojnë".