Seda Sevencan
22 Maj 2020•Përditësim: 22 Maj 2020
Turqia dënoi të enjten miratimin e rezolutës më 20 maj nga senati i Parlamentit të Republikës Çeke për ngjarjet e vitit 1915, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Fakti që vendimi u mor në një mjedis me pak anëtarë në senat në një kohë kur e gjithë bota po lufton me pandeminë e koronavirusit zbulon mentalitetin tinëzar që qëndron pas tij", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Ministria më tej tha se "nuk është e mundur të imponohet më shumë sesa një diskutim historik për ngjarjet e vitit 1915, siç përcaktohet nga nenet 173 dhe 231 të gjykimit të vitit 2015 të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që u përsërit me një vendim të dytë në vitin 2017".
"Përpjekjet për të përcaktuar një çështje historike në interes të politikës dhe grupeve të caktuara janë të papranueshme", thuhet në deklaratë.
"Ne u bëjmë thirrje atyre që duan të paraqesin pikëpamje të njëanshme të historisë që të marrin në konsideratë letrën e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan që shpreh një mirëkuptim për ndarjen e pikëllimit të përbashkët dërguar Patriarkut armen të Turqisë me rastin e 24 prillit", theksohet në deklaratë.
Më tej thuhet se, "Ne i bëjmë thirrje Parlamentit Çek të respektojë dispozitat e Traktatit të Paqes në Lozanë, vendimet e gjykatës ndërkombëtare dhe burimet historike dhe aktuale të së drejtës ndërkombëtare".
Gjithashtu theksohet se ministri i Jashtëm çek, Tomas Petricek, tha se vendimi nuk pasqyron qëndrimin e qeverisë Çeke.