Kayhan Gül
09 Qershor 2016•Përditësim: 10 Qershor 2016
SARAJEVË (AA) - KAYHAN GÜL –
Territori i Ballkanit, i cili deri në historinë e afërt ka qenë temë globale diskutimi me luftërat dhe përplasjet e përgjakshme, edhe pse duket t’i ketë pastruar problemet etnike, ende vazhdon të shkaktojë kriza politike.
Maqedonia po përmendet për krizën politike të fundit, për zgjidhjen e së cilës mëngët ka përveshur edhe bashkësia ndërkombëtare e cila po luan rol aktiv, ndërkohë që kësaj i janë shtuar edhe Kosova dhe Mali i Zi me mosmarrëveshjet e thelluara pozitë-opozitë, si dhe Kroacia në të cilën ka filluar të lëkundet qeveria gati pesëmujore e koalicionit.
Ndërsa Partia Social-Demokrate (SDP) e cila kishte dalë fituese në zgjedhjet pararendëse u rendit e dyta në zgjedhjet e 8 nëntorit në Kroaci, ngadhënjyes në zgjedhje ishte “Koalicioni Patriotik” nën udhëheqjen e partisë konservatore Partia Demokratike Kroate (HDZ).
Edhe pse “Patriotët” i fituan zgjedhjet, ata ishin të detyruar të nisin negociata për qeveri koalicioni pasi që nuk e arritën shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë vetë. Si rrjedhojë e marrëveshjes së arritur pas një periudhe prej dy muajsh e gjysmë me Lëvizjen Most – e cila e cilëson veten si “lëvizja e të pavarurve” – filloi punën në janar qeveria e koalicionit me në krye kandidatin e HDZ-së Tihmoir Oreskoviç. Ndërkaq, në dy pozitat e zv/kryeminstrit të qeverisë së re u caktuan kryetari i përgjithshëm i HDZ-së, Tomislav Karamarko, dhe lideri i Lëvizjes Most Bozo Petrov.
Biznesmeni i suksesshëm Oreskoviç, për shkak të mungesës së përvojës politike dhe qëndrimit jashtë vendit për vite të plota dhe, rrjedhimisht, “çalimi” në zotërimin e gjuhës kroate, u bë shënjestër kritikash që nga dita e parë. Edhe pse Oreskoviç i shpërfilli kritikat dhe punonte për zhvillimin e ekonomisë së shtetit, kësaj radhe ngeli në mes të mospajtimit mes dy zëvendësve të tij.
Nga ana tjetër, partia opozitare kishte kërkuar që në kuvend të bëhet votëbesim për Karamarkon, ndërsa rrjedhja e informacioneve deri te opinioni se disa deputetë të Lëvizjes Most gjithashtu do të votonin kundër Karamarkos shkaktoi lëkundjen e parë në qeveri.
Gjersa çdo ditë e më shumë rritej tensioni mes Karamarkos – i cili e akuzonte liderin e Lëvizjes Most për “moseksperiencë politike” – dhe partnerit të koalicionit, përfundimisht kryeministri Oreskoviç ndërhyri në këtë grindje duke kërkuar që të dy ndihmësit të japin dorëheqje “për hirë të interesit të shtetit”.
- Procesi i largimit të Oreskoviçit nga detyra-
Nuk u vonua reagimi i Karamarkos dhe Petrovit ndaj kryeministrit Oreskoviç i cili kërkoi largimin e të dyve. Derisa Karamarko deklaroi se HDZ do të resht së përkrahuri “kandidatin e vet” Oreskoviç, Petrov, nga ana tjetër, tha se nuk ka arritur ta kuptojë se pse është shënjestruar si “faktor obstruktiv” dhe se është i gatshëm ta paguajë çmimin e kësaj.
Pas këtyre zhvillimeve, HDZ u mblodh për ta diskutuar çështjen e Oreskoviçit, ndërkohë që nga këto bisedime doli vendimi për fillimin e procesit zyrtar të largimit të Oreskoviçit nga detyra. Duke deklaruar se kanë filluar procesin për largimin e Oreskoviçit, kryetari i përgjithshëm i HDZ Karamarko u shpreh se Kroacisë i nevojitet një qeveri “stabile, homogjene dhe e bashkuar”.