Besar Ademi
27 Tetor 2016•Përditësim: 28 Tetor 2016
SHKUP (AA) – Në Universitetin e ri të Shkupit “Nënë Tereza” sot u mbajt ora e parë akademike në ndërtesën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, ndërsa në vitin 2017 pritet të fillojë ndërtimi i objektit të ri personal në kazermën “Ilinden”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përbërjen e Universitetit “Nënë Tereza” janë pesë fakultete, ai për shkenca sociale, shkenca informatike, shkenca teknologjike, shkenca teknike dhe për ndërtimtari dhe arkitekturë.
Ushtruesi i detyrës rektor i Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani, në fjalën e tij para stafit akademik të universitetit dhe studentëve, tha se në kontekstin evropian, dija dhe kompetenca janë çelësi i zhvillimit dhe mirëqenies, ndërsa për ne paraqet edhe rrugëkalimin kryesor për kyçje dinjitoze në familjen evropiane.
“Qyteti i Shkupit, kryeqyteti i Maqedonisë, është qendër administrative politike, ekonomike dhe kulturore e Maqedonisë, por njëkohësisht zë vend të rëndësishëm kulturor, ekonomik dhe social në rajon”, deklaroi Pollozhani.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Pishtar Lutfiu, deklaroi se sot vendi hap një faqe të re të historisë dhe ardhmërisë së këtij vendi dhe i jepet një mundësi e re për formimin intelektual dhe profesioanal. Ai shtoi se rinisë së këtij vendi i ofrohen drejtime të cilat janë në përputhje me kërkesën, kohën dhe botën, drejtime të cilat sipas tij, garantojnë krijimin e bazës për të ardhme të sigurt edhe në Maqedoni.
“Universiteti 'Nënë Tereza' nuk vjen si rezultat i ndonjë plani ogurzi për bajraktarizëm lokal, por vjen si rezultat i sakrificës së atdhetarëve ndër vite, si nevojë e kohës për ngritjen e standardeve në mësimdhënie, si kërkesë e fuqisë intelektuale në tregun jashtëzakonisht dinamik të punës dhe si udhërrëfyes për drejtimin të cilin tanimë e hapëron populli ynë në këtë vend”, deklaroi Lutfiu.
Siç tha ditë më parë ministri Lutfiu, sipas konkursit për regjistrim të studentëve janë paraparë 1.220 vende në vitin e parë për të gjitha pesë fakultetet, mirëpo ushtruesi i detyrës rektor, Aziz Pollozhani, duke mos njoftuar numrin e saktë të studentëve, theksoi se afati i dytë i regjistrimeve vazhdon edhe ditën e nesërme.
Aktualisht numri i studentëve në pesë fakultetet e Universitetit të Shkupit është i vogël. Në lidhje me këtë Pollozhani shprehu bindje se do të krijojnë kushte optimale ligjore dhe infrastrukturore për mësim optimal e të cilësuar.
“Këto klasa nuk janë të vogla, këto janë mjaftueshme për fusha teknike të cilat me proces të Bolonjës dhe standardet që janë aprovuar në Maqedoni janë në këtë numër. Tjetër çështje është që ne jemi mësuar të shohim klasa me nga 500 studentë dhe të themi se mbahet mësim cilësor. Prandaj, vendosëm që t’i standardizojmë klasat në përputhje me kriteret ligjore. Kriteret ligjore në Maqedoni thonë ne jemi të obliguar të organizojmë mësim me mbi pesë studentë”, deklaroi Pollozhani.