Agim Sulaj
01 Shtator 2022•Përditësim: 02 Shtator 2022
Shkollat publike në Kosovë kanë vazhduar grevën e nisur ditë më parë për shkak se institucionet shtetërore nuk i plotësuan kërkesat e tyre për shtesa në paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rrahman Jasharaj bashkë me sindikalistë të tjerë ka vizituar shkollën e mesme teknike "28 Nëntori" në Prishtinë në ditën e parë zyrtare kur do të duhej të niste normalisht procesi mësimor.
Jasharaj gjatë vizitës në këtë shkollë ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, pas vendimit për ndalimin e pagave për punëtorët që janë në grevë.
“Ne nuk do të ndalemi. Do t’i drejtohemi instancave më të larta për të kërkuar të drejtat tona. SBASHK-u e ka përgatitur dhe e ka dërguar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”, ka thënë Jasharaj në konferencë.
Tutje, Jasharaj u bëri thirrje mësimdhënësve të mos dorëzohen përballë presioneve nga Qeveria, pasi thotë se “janë në rrugën e Zotit".
“I kemi harxhuar të gjitha mundësitë për të dialoguar me Qeverinë. Kemi dërguar edhe një ndërmjetësues. Nuk e kemi mendjen të tradhtojmë zërin tuaj sepse po punojmë sipas zërit tuaj. Të urojmë dhe t’i lutemi Zotit bashkë që Qeveria Kurti të dialogojë. Pa të ofruar asnjë zgjidhje dhe vetëm kërcënime, e kanë të kotë sepse ne jemi në rrugën e Zotit. Ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër. Greva do të përfundojë kur të thoni ju (grevistët), kur Qeveria t’i zgjidh kërkesat tona“, theksoi Jasharaj.
Greva në institucionet arsimore po mbahet në pothuajse të gjitha shkollat e vendit sot, pavarësisht thirrjeve të Qeverisë ndaj mësimdhënësve për të mos respektuar vendimin e grevistëve.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci deklaroi se mësimi duhet të fillojë, e madje është paralajmëruar se në Gjakovë, do të bëhet edhe përurimi i Abetares së përbashkët, Kosovë-Shqipëri.
Gjatë kësaj jave edhe ministri i MFPT-së, Hekuran Murati u bëri thirrje sindikalistëve që të kthehen në punë nga greva e nisur për shkak se kështu dëmtohen nxënësit e arsimit publik në Kosovë.
Ai paralajmëroi se shteti nuk do t'ua paguaj mungesat asnjë sindikalisti që është në grevë dhe për secilën ditë atyre do t’u minusohet paga, derisa shtoi se për rimbursimin e tyre e ka obligim sindikata dhe jo shteti.
Greva nga BSPK-ja së cilës ju bashkëngjit edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kosovës (SBASHK), filloi nga 25 gushti me kërkesë që të miratohet Ligji i Pagave në Kuvend i cili ua rrit punëtorëve të sektorit publik pagat, apo deri në miratimin e këtij ligji të marrin shtesa në paga prej 100 eurove.