Bekim Laci
04 Nëntor 2015•Përditësim: 05 Nëntor 2015
SHKUP (AA)- Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë bashkë me Zyrën për zhvillim të arsimit dhe Qendrën ndërkombëtare për programe mësimore – Kembrixh, sot në Shkup nënshkruanë marrëveshjen për bashkëpunim që ka të bëjë me adaptimin e programeve mësimore në matematikë dhe lëndë nga shkencat natyrore për nxënësit nga klasa e shtatë deri në të nëntën, të përpunuara nga Kembrixhi, raporton Anadolu Agency.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, deklaroi se Maqedonia ka filluar të impemetojë këtë program në vitin 2013 duke u bërë vend i vetëm në rajo që aplikon këtë sistem mësimor, por deri në klasë të gjashtë të ciklit fillorë dhe me marrëveshjen e re kalohet në dy cikle më të lartë, sepse rezultatet kanë qenë të kënaqshme.
“Këto programe mësimore parashohin interaksion më të madh midis mësimdhënësve dhe nxënësve dhe japin kontribut të madh te formësimi i vetbesimit dhe të menduarit kritik të nxënësve që ata të jenë të pavarur në vendimet dhe konkluzionet e tyre” tha ai, duke sqaruar se materialet do të jenë në gjuhën Maqedone, Shqipe, Turke dhe Serbe, ndërsa implementimi fillon vitin e ardhëshëm shkollor.
Drejtoresha e Zyrës për zhvillim të arsimit të RM-së, Vesna Horvatoviç tha se implementimi i kësaj marrëveshjeje është reforma më e mirë e mundëshme për përmirësimin e cilësisë së arsimit nga lëndët e matematikës dhe shkencave shoqërore në shtet.
“Do të bëjmë adaptimin e programeve mësimore nga lënda e matemtikës, fizikës, biologjisë, kimisë nga klasa e shtatë deri në të nëntën duke rrumbullaksuar kështu adaptimin në baze të programeve mësimore të Qendrës ndërkombëtare për programe mësimore – Kembrixh”, tha ajo për të sqaruar se mësimdhënësit të cilët ligjerojnë këto lëndë fillimisht do të trajnohen për këto programe mësimore.
“Drejtori i Qendrës ndërkombëtare për programe mësimore - Kembrixh, Michael O'Salivan tha se kanë bashkëpunuar me 160 shtete të ndryshme lidhur me këto programe mësimore, ndërsa për momentin siç tha, janë në kontakte të vazhdueshme me 20 ministri të arsimit për të implementuar të njejtat.
“Ndryshimet në arsim janë të vështira, nuk mjaftojnë vetëm programet sepse nevoitet trajnim i mësimdhënësve poashtu, të sigurojmë libra të ri, ndërsa tërë këto reforma bëhen me anë të këtij projekti”, tha O'Salivan.
Programet mësimore të Britanisë së Madhe për lëndën e matematikës dhe shkencave natyrore kanë filluar të implementohen në vitin 2013 me një marrëveshje 5 vjeçare e cila përfshin adaptimin e programeve mësimore për këto lëndë duke filluar nga klasa e parë deri në klasë të nëntë. Marrëveshja përfshin edhe librat falas, trajnimin e mësimdhënësve si dhe monitorim dhe verifikim të projektit.