Admir Fazlagikj
26 Gusht 2020•Përditësim: 26 Gusht 2020
Mandatari i caktuar për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të ditur se viti shkollor 2020/2021 në vend do të fillojë më 1 tetor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zaev sot dorëzoi propozim-programin për përbërjen e re qeveritare dhe foli para mediave ku prezantoi propozimin e tij për qeverinë e re si dhe u përgjigj në pyetjet e gazetarëve.
I pyetur për fillimin e vitit të ardhshëm shkollor, Zaev informoi se qeveria do të marrë të gjitha vendimet në kohën e duhur kur tashmë janë vendosur politikat në bazë të Komisionit shëndetësor, bazuar në vlerësimet e profileve arsimore në vend.
"Qytetarët duhet ta dinë se fillimi i vitit shkollor do të jetë më 1 tetor, do të fillojë me selektimin e një pjese të fëmijëve që duhet t'i shkollojmë, respektivisht me klasat e para. Sigurisht, mësimi online do të jetë një koncept për të gjithë me vlerësime të vetë komunave", tha Zaev.
Ai shtoi se është përgatitur një plan i plotë me të gjitha analizat dhe përvojën, në mënyrë që procesi arsimor i fëmijëve të mund të zhvillohet dhe të mbrohet shëndeti i tyre dhe i familjeve të tyre.
Siç tha kreu i LSDM-së, ka mbetur vetëm të merren parasysh të gjitha aspektet e kësaj "çështjeje komplekse", të tilla si përgatitja e platformës online, protokollet e sigurisë për fëmijët, çështjet e kujdesit të fëmijëve deri në moshën 10-vjeçare dhe të tjera, të cilat do të jenë në rend dite në seancën e parë të qeverisë së re.
Siç u njoftua më parë, fillimi i vitit shkollor kërkon ndryshime në ligjet për arsim fillor dhe të mesëm, në përputhje me protokollet për modelet arsimore në kushte të pandemisë, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi.
Nga ministri aktual i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili tani do të jetë deputet në Kuvend, Zaev kërkoi të japë informacione të nevojshme, duke shtuar se ministrja e ardhshme, Milla Carovska, si zv/kryeministre aktuale është e njoftuar dhe po punon mbi këtë çështje.
Më 18 gusht, autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut njoftuan se viti i ardhshëm shkollor 2020/2021 do të fillojë me mësim online, përveç studentëve nga klasa e parë deri në klasën e tretë, ndërsa në shkolla me një numër më të vogël të nxënësve dhe me klasa në mjedise me gjendje të qëndrueshme epidemiologjike, për të cilët komunat do të marrin miratime nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Sipas autoriteve shëndetësore të vendit, sipas protokollit nuk do të ketë më shumë se 20 nxënës në një klasë dhe do të jenë të vendosur me një largësi prej 1.5 metrash mes njëri-tjetrit dhe me maska mbrojtëse.
Më 10 mars të këtij viti, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), qeveria vendosi të ndërpresë procesin arsimor dhe mësimdhënien në të gjitha kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme si dhe mësimin në institucionet e arsimit të lartë.
Mësimi në distancë për shkak të situatës së koronavirusit në vend vazhdoi deri më 10 qershor, pra deri në fund të vitit shkollor 2019/2020.