Zülfiya Yakup
14 Nëntor 2015•Përditësim: 14 Nëntor 2015
PRISHTIN (AA) Sot, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në shenjë të nderimit për viktimat e sulmeve terroriste që ndodhën dje në Paris, vendosi buqeta me lule tek Ambasada e Francës në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast Veseli në emër të Kuvendit të Kosovës, përmes ambasadores Maryse Daviet, u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave të sulmeve terroriste në Paris. Ai i i tha ambasadores Daviet se “këto sulme barbare kanë lënduar zëmrat e të gjithë neve, sepse një mik i madh i Kosovës, Franca është sulmuar, por vlerat mbi të cilat bazohet Franca dhe ne popujt tjerë që i ndajmë këto vlera franceze, qëndrojnë të palëkundura përgjithmonë”.
“Liria dhe të drejtat e njeriut do të fitojnë edhe këtë betejë me terrorizmin e motivuar nga fanatizmi fetar, ashtu sikurse i fituan edhe betejat me fanatizmat e shekullit të kaluar, fashizmin e komunizmin”, theksoi me këtë rast kryeparlamentari Veseli.
Ambasadorja Daviet, nga ana e saj, falenderoi kryetarin Veseli për ndjenjat e solidaritetit që ai dhe populli i Kosovës po shprehin në këto momente të rënda për popullin francez.