Besar Ademi
17 Nëntor 2016•Përditësim: 18 Nëntor 2016
SHKUP (AA) – Sektori për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe personave me nevoja të posaçme pranë Avokatit të Popullit të Republikës së Maqedonisë, promovoi Raportin e posaçëm për gjendjen me respektimin dhe realizimin e të drejtës së pjesëmarrjes së fëmijëve në marrjen e vendimeve në shkollat e mesme të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti u promovua nga zëvendës Avokatja e Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, ndërsa është përgatitur pas hulumtimit të realizuar gjatë gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2015/2016 në pajtueshmëri me të dhënat nga Konkursi për regjistrim në shkollat e mesme publike. Në raport janë përfshirë të gjitha shkollat e mesme, përfshirë edhe ato për fëmijë me nevoja të posaçme.
Mustafa bëri të ditur se nga 103 shkolla të mesme në mbarë territorin e Maqedonisë, vetëm në 25 prej tyre fëmijët janë pjesëmarrës në marrjen e vendimeve. Ajo shtoi se në Shkup nga gjithsej 17 shkolla të mesme, 10 prej tyre lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve në marrjen e vendimeve, ndërsa në Kavadar ku ka tre shkolla, në asnjërën prej tyre nuk lejohet pjesëmarrja e fëmijëve në marrjen e vendimeve.
“Analizat e ankesave të kryera në 103 shkolla të mesme të Maqedonisë konfirmon përfundimin se nuk është e rregulluar me ligj çështje e pjesëmarrjes së fëmijës në marrjen e vendimeve. Ajo që ne e vërtetuam nga analiza e Ligjit për shkollat e mesme, është se në fakt nxënësit, prindërit apo kujdestarët e tyre kanë mundësi që në një mënyrë të marrin pjesë vetëm në formën e paraqitjes së një ankese, edhe atë në rast se duan të ankohen në lidhje me notat e fund vitit, rezultatet e testit ekstern dhe në lidhje me masën pedagogjike që i shqiptohet”, deklaroi Mustafa.
Mustafa duke u bazuar në Nenin 12 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës i cili garanton pjesëmarrjen e fëmijës në marrjen e vendimeve, theksoi se kjo e detyron shtetin që gjithmonë t’i japë mundësi fëmijës ta shpreh mendimin e vet kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve të cilat kanë të bëjnë me atë.