Cihad Aliu
16 Shkurt 2017•Përditësim: 17 Shkurt 2017
SHKUP (AA) – CIHAD ALIU
Aksu Samet, doktor shkence në lëmin e kimisë dhe ish-mësimdhënëse në Kolegjin "Yahya Kemal", shkollë kjo e cila është zgjatim i Organizatës Terroriste FETO në Maqedoni, thotë se menjëherë pas ndodhive gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, pa u hamendur fare, ka vendosur të japë dorëheqje nga shkolla.
Samet, e bija e një familjeje turke në Shkup, në një bisedë për Anadolu Agency (AA), shpjegoi karrierën e saj dhe largimin nga Kolegji "Yahya Kemal", zgjatim i Organizatës Terroriste FETO.
Samet rrëfen se ka mbaruar studimet në degën e kimisë në Universitetin e Shën Kirilit dhe Metodit në Shkup, kurse më pas në po të njëjtin universitet ka përfunduar edhe doktoratën në fushën e nanoteknologjisë. Ajo thekson se dëshira e saj ka qenë që të punojë si inxhiniere e kimisë, megjithatë, siç tregon ajo, për shkak të mundësive të pakta për punë në këtë sektor në Maqedoni, ka filluar të punojë si mësimdhënëse.
Duke vënë në pah se ka realizuar punime të ndryshme dhe se aktualisht është e papunë edhe pse ka gradën doktor shkence, Samet thotë se artikujt që ka shkruar së bashku me shokët e saj janë botuar në revistat American Journal of Chemistry, Dalton Transaction dhe Turkish Journal of Chemistry e TÜBİTAK-ut (Këshilli Turk për Hulumtime Shkencore dhe Teknologjike).
Samet kujton se për shkak të mundësive të pakta për punë në këtë fushë në vend për një periudhë ka qenë e papunë, kurse më pas ka filluar të punojë në Kolegjin "Yahya Kemal". Ajo thotë se në këtë kolegj ka një karrierë pune si mësimdhënëse prej 15 vitesh.
Duke potencuar se për shkak të pakënaqësisë që ka zgjatur me vite dhe problemeve në mjedisin e punës ka dashur që të largohet nga puna, Samet vazhdon:
"Më 15 korrik, ndodhi një ngjarje që askujt nuk do t’i shkonte në mendje. Atë natë, shikova zhvillimet në televizor deri në mëngjes. Atë natë e kalova si një mësimdhënëse e regjistruar në Kolegjin 'Yahya Kemal' dhe me të vërtetë ndiej keqardhje për këtë. Atë çast, pa u hamendur fare, pa menduar fare, pa e menduar kafshatën e gojës dhe çfarë do të ndodhte me karrierën time, mundin që kisha dhënë, mora vendimin dhe shkrova dorëheqjen. Meqenëse ato ditë ishin ditë pushimi, dorëheqjen me shkrim e dorëzova më 8 gusht. Mendoj se kam bërë gjënë e duhur. Nuk pendohem".
Vështrimet e njerëzve më kanë pikëlluar
Në lidhje me këtë, një gjë tjetër që e ka bërë Aksu Samet të ndihet e pikëlluar, rrëfen më tej ajo, është se njerëzit e kanë shikuar me dyshime kur ka kërkuar punë. Samet thotë se në shkollë ka punuar vetëm në mënyrë profesionale.
Personave që i janë qasur me dyshime, Samet u bën thirrje që të kenë empati. “Imagjinoni sikur punoni profesionalisht në një kompani. Zgjoheni në mëngjes dhe kuptoni se ajo kompani akuzohet për lidhje me terrorizëm. Çfarë faji keni ju si punëtor? Kishte vetëm një gjë që mund ta bëja si individ, e atë e bëra duke dhënë dorëheqje,” shprehet më tej Samet.
Turqia na ka zgjatur dorën e ndihmës
Samet, e cila rrëfen se gjatë kohës sa ka punuar në kolegj nuk ka patur ngritje të pagës e as avancim, tregon se persona të cilët ishin punësuar pas saj, madje edhe ish-nxënës të saj, ishin avancuar. Ajo thotë se ndaj saj janë zbatuar standarde të dyfishta.
“Si një turke nga Maqedonia, në këtë vend i cili është emërtuar si ‘shkollë turke’, deri më tani veten e kam ndier si mësimdhënëse e lënë pas dore”, thotë Samet.
Duke folur edhe për ndjenjat e saj ndaj Turqisë si një turke e lindur dhe e rritur në Maqedoni, Samet vazhdon:
“Para së gjithash, Turqia është mëmëdheu ynë. Ashtu siç është e rëndësishme Maqedonia në të cilën jetojmë, ashtu edhe Turqia është e rëndësishme për ne. Ne jemi rritur me Turqinë. Jemi rritur me televizionet turke. Turqia ekziston në jetën tonë. Besoj që kjo gjë vlen edhe për të gjithë turqit që jetojnë në Ballkan. Edhe natën e 15 korrikut, të gjithë i kemi përcjellur televizionet me kujdes. Në dhjetë vitet e fundit, Turqia na ka zgjatur dorën e ndihmës në masë të madhe. Jemi shumë të kënaqur për këtë."