Dzihat Aliju
19 Dhjetor 2016•Përditësim: 19 Dhjetor 2016
SHKUP (AA) – Në kongresin e nëntë të zakonshëm të Partisë Demokratike Turke (TDP) në Maqedoni, ministri pa resor i bashkësisë turke në Maqedoni Beycan Ilyas u zgjodh kryetari i ri i partisë me shumicë votash, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kongresin e organizuar në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë në Shkup, votën shfrytëzuan 309 nga 330 delegatë të regjistruar. Ilyas u zgjodh kryetar i partisë me votat e 205 delegatëve, kandidati tjetër Ercan Çulez ngeli në 101 vota, ndërsa 3 vota u shpallën të pavlefshme.
Pas shpalljes së rezultateve, Ilyas doli me deklaratë për gazetarët.
Duke u shprehur se në këtë kongres nuk ka fituar vetëm ai, por edhe partia dhe Turqit në Maqedoni, Ilyas tha se “Qëllimi im në detyrën e kryetarit për të cilën delegatët më konsideruan meritor është që në çdo fushë ti ngre lartë turqit në Maqedoni dhe ta ngre në nivele më të larta kauzën të cilën e ngritën lartë kryetarët që ishin para meje.”
Krahas delegatëve dhe anëtarëve të partisë, në kongres mori pjesë edhe kryetarja e kuvendit të Republikës Turke të Qipros Veriore (KKTC) Sibel Siber, deputeti i KKTC-së Hüseyin Erçal, ministri i administrates publike të Kosovës Mahir Yağcılar, deputetja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Müferra Şinik, deputeti i KDTP-së dhe zv/kryetari i kuvendit të Kosovës Fikrim Damka dhe përfaqësues të VMRO-DPMNE-së.
Kenan Hasip, i cili ka ushtruar detyrën e kryetarit të partisë që nga viti 2002, në muajin shtator kishte shpallur dorëheqjen nga detyra për shkak të problemeve shëndetësore.