Sibel Vezaj
10 Nëntor 2016•Përditësim: 10 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, sot po qëndron në Kosovë për një vizitë njëditëshe. Ai në kuadër të vizitës së tij në Kosovë sot u takua me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas këtij takimi Johnson mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e adresuar për të ku morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ministra dhe zëvendësministra të kabinetit qeveritar, ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie, përfaqësuesje a Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, si dhe deputetë e përfaqësues të zyreve diplomatike të Republikës së Kosovës.
Gjatë fjalimit në seancën solemne, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha se vizita e Sekretarit Johnson është shprehja e marrëdhënieve të mira mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe dhe tha se emri i këtij vendi është i lidhur në mënyrë të pandashme me historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Ne sot në Kosovë jemi duke ndërtuar një shtet dhe shoqëri të frymëzuar nga vlerat themelore të shtetit dhe popullit britanik. Demokracia liberale, ekonomia e lirë e tregut, shoqëria e hapur, sundimi i ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut, të përkushtuar në këto vlera ne jemi të vendosur të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin me shtetin tuaj”, tha Veseli.
Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Johnson gjatë fjalimit të tij foli për gjendjen e Kosovës në kohën e pasluftës, përkatësisht për vizitën e tij në Kosovë para 17 vitesh.
Ai theksoi se Kosova mund të jetë një shembull i fuqishëm dhe i ndritshëm për të tjerët për atë se çfarë mund të arrihet. Johnson vuri në pah se si shumë sistemet tjera politike ashtu edhe sistemi i Kosovës duhet të vazhdojë të trajtohet, të përshtatet dhe të përmirësohet, në mënyrë që procesi i reformimit të Kosovës të mos numërojë në vend.
“Unë shpresoj se partitë politike duhet të punojnë që t’i shërbejnë interesit të cilit do qytetar dhe njerëzit kanë një obligim dhe të drejtë për të kërkuar më shumë nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe njerëzit kanë të drejtë që të kërkojnë llogari nga ne përfaqësuesit e zgjedhur”, tha Johnson.
Ai tha se Britania e Madhe dëshiron që Kosova të jetë një forcë dhe stabilitet në të gjithë Ballkanin perëndimor. Johnson theksoi se kjo arrihet me një marrëdhënie normale me Serbinë. “Duhet të mos jetë kontraversale të thuhet se të gjithë ata që janë fajtorë për krime të luftës nga të dy anët duhet të futen në burg në tërë Ballkanin. Kjo duhet patur parasysh se duhet bashkëpunuar me Gjykatën Speciale për krimet e luftës”, tha Johnson.
Ai gjithashtu theksoi se vendet e botës tani po përballen me sfida të përbashkëta. “Kemi një sfidë të përbashkët kundër terrorizmit, kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ne duhet t’i luftojmë këto kërcënime së bashku. Në Britaninë e Madhe kemi një problem me grupet kriminale të qytetarëve etnik dhe ne duhet të bashhkëpunojmë që ta luftojmë këtë problem”, tha Johnson.
Sekretari i Jashtëm britanik po ashtu shprehu ngushëllimet e tij për Astrit Deharin, aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje i cili vdiq përderisa ndodhej në paraburgim dhe ftoi institucionet relevante për një hulumtim të pavarur për këtë vdekje. Së fundmi ai shprehu mirënjohje për transformimet pozitive të ndodhura në Prishtinë dhe theksoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për realizimin e potencialit të këtij shteti.
Johnson sot do të marrë pjesë edhe në lansimin e projektit "Përkrahje për zhvillimin e partive politike të Kosovës".