Sibel Vezaj
10 Nëntor 2016•Përditësim: 10 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Dhurata Hoxha, sot ka takuar nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë bëhet e ditur se gjatë këij takimi ministrja Hoxha ka shprehur përkushtimin e saj për realizimin e reformave për sundimin e ligjit, reformat ekonomike si dhe konsolidimin e qeverisjes së mirë, duke vënë në dukje se këto arrihen bashkarisht përmes koordinimit dhe mbikëqyrjes nga ana e BE-së.
“Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, përfshin politikat kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, sistemin e llogaridhënies, transparencës së funksionimit të institucioneve. Ne do t’i adresojmë këto rekomandime”, ka thënë ministrja Hoxha.
Ajo gjithashtu foli për ecurinë e rishikimit gjithëpërfshirës të legjislacionit me theks të veçantë për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale që prekin çështjet thelbësore të evidentuara në Raportin e Progresit.
Në anën tjetër, Lunaçek potencoi se progresi i arritur duhet çuar përpara, duke theksuar se rruga euro-integruese e Kosovës është e pakthyeshme. Ajo gjithashtu ofroi mbështetjen e saj të plotë që ky proces të përmbyllet sa më parë dhe me sukses.
Së fundmi ministrja Hoxha tha se mirëpret bashkëpunimin për realizimin e sa më parë të kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përkatësisht duke fuqizuar sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Vizita e eurodeputetes Lunaçek po zhvillohet pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian, raport që evidenton hapat pozitiv të Kosovës por edhe kriteret që duhen përmbushur për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave.