Figen Shaban
08 Nëntor 2017•Përditësim: 09 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj sot në Prishtinë u takua me Ministrin britanik të Shtetit për Evropën dhe Amerikën, Sir Alan Duncan, raporton Anadolu Agency (AA).
Haradinaj pas takimit me ministrin britanik Duncan në konferencën e përbashkët për media tha se takimi me Duncan është përtërirje e marrëdhënieve shumë të mira mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar që burojnë nga kohërat shumë të vështira të popullit të Kosovës.
“Tani jemi në dimensione të reja të bashkëpunimi bilateral dhe të rolit të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimet në rajonin tonë. Sikurse e dimë në korrik mbahet takimi i Londrës, një takim i rëndësishëm i vendeve të Ballkanit. Qëllimi i Kosovës është që në këtë takim por edhe në vazhdimësi të shënojë progresin e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, pra të forcojë institucionet e rendit dhe ligjit dhe njëkohësisht t'i identifikojmë projektet e përbashkëta qofshin rajonale apo më gjerë për perspektivën tonë euroatlantike”, tha kryeministri Haradinaj.
Nga ana tij, ministri britanik Duncan duke theksuar qëllimin e vizitës së tij tha se ka qenë dje në Tiranë dhe sot ndodhet në Prishtinë për të diskutuar temat për të cilat do të fokusohen në Samitin e Ballkanit i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Londër.
“Mendoj se marrëdhëniet e afërta dhe shoqërore në mes dy shteteve tona janë shumë të veçanta dhe jemi krenarë që Britania ka qenë pjesë e rëndësishme në historinë e afërt të Kosovës”, tha Duncan.
Ai u shpreh se Britania e Madhe do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit si dhe në rrugën e saj drejtë BE-së duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar edhe pse nuk do të jetë pjesë e BE-së dëshiron të shohë një BE të fortë në të ardhmen.
“Vizita ime por edhe Samiti i Londrës do të ndodhin në kohën kur Mbretëria e Bashkuar është në përgatitje për t'u larguar nga Bashkimi Evropian. Por, dua ta sigurojë secilin nga ju se përkundër faktit që nuk do të jemi më në BE ne nuk e lëshojmë Evropën dhe botën. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë përpjekjet e saj për marrëdhënie bilaterale dhe tregtare në tërë globin duke u ndihmuar aleatëve tanë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, tha Duncan.