Sibel Vezaj
08 Nëntor 2017•Përditësim: 08 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Amerikën të Britanisë së Madhe, Sir Alan Duncan, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës, thuhet se gjatë këtij takimi Thaçi ka theksuar se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën, për njohjen e Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. "Pavarësia e Kosovës mban edhe vulën e madhe të Londrës", ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi po ashtu ka theksuar se Kosova është promovuese e paqes dhe dialogut në rajon dhe se punon për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjithë, përfshirë edhe Serbinë.
Kurse ministri britanik Sir Alan Duncan, është shprehur se Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për rajonin, pavarësisht marrëdhënies së Londrës me Brukselin. "Dëshirojmë rajon që jeton në paqe e stabilitet", ka thënë Duncan. Ministri Duncan në kuadër të vizitës së tij në Kosovë sot u takua edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.