Besar Ademi
18 Qershor 2017•Përditësim: 18 Qershor 2017
SHKUP (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili qëndron për vizitë pune në Maqedoni, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, deklaroi se “në hapësirat e Ballkanit, por edhe më gjerë, mendojmë se Maqedonia është mjaftë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu-Ivanov: Maqedonia çmon lart përkrahjen e Turqisë për anëtarësim në NATO
Çavuşoğlu duke i uruar suksese në punë homologut të tij, tha se Turqia gjithmonë do të jetë në mbështetje të Maqedonisë. Ai tha se në 25 vite të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve janë bërë hapa të rëndësishme dhe përparim si në marrëdhëniet politike, ashtu edhe në fushat tjera. Ministri turk paralajmëroi se të dy vendet do të nënshkruajnë marrëdhënie të reja, me qëllim që të përmirësohen marrëdhëniet mes dy vendeve në nivelin e dëshiruar.
“Në hapësirat e Ballkanit, por edhe më gjerë, mendojmë se Maqedonia është mjaftë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin. Me Maqedoninë kemi 460 milionë dollarë shkëmbim tregtar, ndërsa investimet turke në këtë shtet arrijnë dy miliard dollarë, por potencialet tona janë shumë më të mëdha”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se të dy vendet kanë lidhje kulturore, si dhe përparim në fushën e arsimit.
Çavuşoğlu iu referua edhe bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Turqisë në plan ndërkombëtar, duke theksuar se Turqia në çdo fushë e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë, veçanërisht në rrugën e anëtarësimin në BE dhe NATO.
“Turqia e mbështet Maqedoninë në çdo fushë dhe do të vazhdojë ta mbështes edhe në të ardhmen. Maqedonia më së shumti meriton integrimin në Bashkimin Evropian. Me çështje artificiale të tilla si çështja e emrit, i bëhet padrejtësi e madhe Maqedonisë. Në mënyrën më të fortë të mundshme do të përkrahim anëtarësimin në NATO dhe do të nxisim vendet të bashkëpunojnë. Siguria në Evropë varet nga Turqia dhe Ballkani Perëndimor”, deklaroi Çavuşoğlu.
Ndër të tjera, shefi i diplomacisë turke theksoi se komuniteti turk në Maqedoni është një urë e rëndësishme për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Çavuşoğlu theksoi se është një kënaqësi e madhe që pas formimit të qeverisë së re, ai është ministri i parë i jashtëm që viziton Maqedoninë, si dhe ftoi presidentin dhe kryeministrin e Maqedonisë të jenë mysafirë në Turqi.
Dimitrov: Ne nuk ndajmë kufij me Turqinë, por jemi sikurse ndajmë
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, deklaroi se “Maqedonia dhe Turqia janë dy vende miqësore dhe marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve janë të shkëlqyera dhe unike”.
Dimitrov bëri të ditur se në takimin me homologun e tij turk kanë biseduar disa çështje me interes të përbashkët, duke theksuar se të dy kanë konfirmuar nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike. Ai theksoi se homologun e tij e ka njoftuar për prioritetet e qeverisë së re, si dhe shtoi se fokusi i politikës së jashtme të vendit do të jetë integrimi i vendit në NATO dhe BE.
“Për ne rruga që na pret është ndërtimi i një imazhi pozitiv për Maqedoninë të kthyer nga e ardhmja. Të ndërtojmë marrëdhënie që do të kontribuojnë për stabilizim të qëndrueshëm dhe prosperitet të rajonit, duke promovuar politika të mira fqinjësore. Me Turqinë ne nuk ndajmë kufij, por jemi sikurse ndajmë, është një kufi i hapur dhe i ndritshëm. Shpreha falënderime për mbështetjen e vazhdueshme dhe të nevojshme për Maqedoninë në Aleancën e NATO-s. Kjo mbështetje është e rëndësishme për ne, mbështetja e tyre pa mëdyshje është konfirmuar”, deklaroi Dimitrov.
Dimitrov poashtu theksoi se Maqedonia vlerëson lart rolin kryesor të Turqisë në trajtimin e krizës së emigrantëve dhe refugjatëve. Ai shtoi se këtë e dëshmon edhe numri i madh i refugjatëve që ka pranuar Turqia dhe se kontributi aktiv i Turqisë në këtë fushë tregon se është faktor stabiliteti në rajon.
Shefat e diplomacisë maqedonase dhe turke në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë realizuan takim kokë më kokë, pas së cilës u zhvillua edhe takim mes delegacioneve të të dy vendeve.
Ministri Çavuşoğlu më herët u prit nga presidenti Gjorge Ivanov në vilën presidenciale “Villa Vodno”, pas së cilës presidenti shprehu falënderimet për ndihmën e fortë të Turqisë në raport me Maqedoninë dhe mbështetjen për anëtarësim në NATO.
Gjatë ditës së sotme, Çavuşoğlu takoi edhe liderin e opozitës maqedonase, atë të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ndërsa do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev. Në mbrëmje, ministrat Çavuşoğlu dhe Dimitrov do të marrin pjesë në sofrën e iftarit të organizuar për nder të ministrit turk, ku është paralajmëruar prania e presidentit Gjorge Ivanov dhe kryeministrit Zoran Zaev.