SHKUP (AA) - CİHAD ALİU
Amir Seydi, i diplomuar në Kolegjin Yahya Kemal, zgjatim i Organizatës Terroriste FETO në Maqedoni, dhe njëri nga nxënësit që pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi grisën diplomat e marra nga kjo shkollë, thotë se diplomat i kanë grisur për t’u dhënë mesazh njerëzve dhe gjithë botës.
Seydi, duke folur për Anadolu Agency (AA), shpjegoi periudhën arsimore në shkollën që është zgjatim i FETO-s dhe përjetimet pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik.
Duke rikujtuar se pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik së bashku me një grup shokësh të diplomuar nga kolegji në fjalë kishin grisur diplomat e tyre, Seydi thotë se “Këtë gjë e bëmë në mënyrë simbolike, për t’u dhënë mesazhin njerëzve dhe tërë botës që nxënësit të mos shkojnë në shkollat e FETO-s dhe që qëllimi i kësaj shkolle nuk është arsimi, por gjëra të tjera.”
Seydi thekson se kanë arritur sukses në këtë veprim, duke shtuar se përmes deklaratave gjatë reagimit të tyre kanë dhënë mesazhin “Ne gabuam, të mos gabojmë të tjerët”.
Siç vë në pah Seydi, për të gjitha këto shkolla nëpër botë është krijuar perceptimi se ato janë “Shkolla turke”, megjithatë, ai thotë se kjo gjë nuk është e vërtetë dhe se procesi arsimor në këto shkolla zhvillohet 80 përqind në gjuhën angleze. Sipas tij, në fakt, në këto shkolla në botë përhapet gjuha dhe kultura angleze dhe amerikane.
Duke treguar se gjatë periudhës shkollore në këtë shkollë vazhdimisht ka përjetuar mosmarrëveshje me “eprorët e xhematit”, Seydi vazhdon: “Atëbotë, mes nesh ndodhnin fërkime dhe mosmarrëveshje. Unë kam karakter të tillë që nuk pranoj diçka pa pyetur në lidhje me të. Kjo nuk është diçka që e kam vetëm unë. Njeriu i Ballkanit ka tipar të tillë. Rrjedhimisht, nuk mendoj se ata kanë qenë shumë të suksesshëm në Ballkan për sa i përket shtrirjes së ndikimit. Për këtë arsye, nganjëherë ndodhnin mosmarrëveshje. Ata nuk e pranonin këtë gjë. Sipas tyre, gjithçka duhet të jetë siç thonë ata. Gjithçka duhet të pranosh dhe nuk do të pyetësh. Është turp t’u parashtrosh pyetje eprorëve. Në këtë aspekt, unë përjetova vështirësi.”
Detyronin abonimin në gazetën “Zaman”
Seydi më tej tregon se edhe kanë hasur në veprime të çuditshme edhe në lidhje abonimin në gazetën “Zaman” dhe vë në dukje se i kanë detyruar të abonohen në këtë gazetë.
Ai rrëfen se në përgjithësi janë detyruar të abonohen në gazetë nga “eprorët” te të cilët kanë marrë pjesë në bisedat e tyre.
“Për shembull, na impononin gjëra duka na thënë: ‘Amir, ti këtë muaj do të bësh pese abonime’; tjetrit: ‘ti do të bësh dhjetë abonime’, e kështu me radhë. Ndërkaq, secili pranonte. Unë nuk pranoja. Nëse do të merrja një gazetë, ata përpiqeshin të më detyronin të merrja pesë sosh. Kjo ishte në kundërshtim me gjërat që na i shpjegonin gjatë bisedave të tyre, siç ishte këshilla se nuk duhet shpenzuar shumë. Domethënë, ato që thonin dhe ato që i praktikonin nuk përkonin me njëra-tjetrën. Për këtë shkak, atë periudhë unë isha ftohur me ta. Aty me të vërtetë kishte shpenzim të tepruar. Afaristët aty merrnin dhjetë-njëzet gazeta dhe i hidhnin në kosh mbeturinash. Shpenzonin para dhe letër në tepricë. Në kuptimin tonë mbi Islamin nuk ekziston një gjë e këtillë,” thotë Seydi, duke shtuar se edhe pse këto gjëra ua kanë shpjeguar gjatë bisedave, vetë nuk i kanë zbatuar në praktikë.
Nuk lejonin punën me mbulesë
Duke theksuar se në shkollë nuk u është lejuar mësimdhënësve të punojnë me mbulesë, Seydi rrëfen se një e afërt e tij nuk ishte pranuar në punë për shkak të mbulesës, edhe pse ishte arsimtare e gjuhës angleze dhe kishte lidhje të afërta me ta.
Ai nuk ka arritur ta kuptojë se pse nuk lejohet puna me mbulesë në këto shkolla, edhe pse, siç thotë ai, një gjë e tillë nuk paraqet problem në Maqedoni.
Po ashtu, Seydi shpjegon se gjatë periudhës shkollore kanë ndodhur edhe gjëra që e kanë poshtëruar dhe ia kanë lënduar vetëbesimin. Ai tregon se gjatë pagesës së kësteve nuk kanë lejuar edhe vonesën më të vogël dhe se tri-katër herë është larguar nga klasa për arsye se është vonuar me pagesën e këstit.
“Largohesha para syve të shokëve të mi. Më privonin nga orët mësimore për shkak të vonesës së këstit, edhe përkundër faktit se merrja pjesë në bisedat e tyre, kisha mirëkuptim me të gjithë dhe isha nxënës me nota të larta. Çfarë lidhje mund të ketë kjo me shërbimin, të kuptuarit e Islamit dhe vëllazërinë të cilën e shpjegonin? Me të vërtetë, nuk arrij ta kuptoj këtë gjë. Në rastin më të mirë, kjo mund të ketë lidhje me ‘mendësinë e hebrenjve’, sepse, te ta, gjithçka bëhej përmes parasë”, thotë Seydi.
Më tej, Seydi thekson se për këtë arsye është larguar nga ta dhe se kur është pranuar të vazhdojë studimet në Universitetin e Stambollit, i kanë sugjeruar që të qëndrojë në konviktin e FETO-s. Megjithatë, Seydi e ka refuzuar një gjë të tillë, me ç’rast atë e kanë “fshirë” dhe e kanë shikuar sikur person, siç thotë ai, të dalë nga feja.
Duke thënë se kishte kontradikta mes gjërave që u janë shpjeguar gjatë bisedave dhe veprimeve të tyre në praktikë, Seydi shprehet: “Në bisedat të cilat i kam dëgjuar, ata nuk shpjegonin gjëra të gabuara, sepse po të shpjegonin, nuk do të kishin sukses për kaq shumë vite. Megjithatë, gjërat që i thonin nuk përkonin me praktikën. Bisedat e tyre nuk ishin sipas dijetarëve të civilizimit të përgjithshëm islam. Ato fillonin me Bediuzzaman Said Nursin dhe më pas vazhdonin me Fetullah Gülenin. Bisedat më së shumti zhvilloheshin me leximin e librave të Gülenit dhe analizimin e tyre. Shpesh dëgjonim tregime në të cilat Güleni dhe Nursi lartësoheshin.”
Zgjedhin fëmijët e familjeve që kanë më pak njohuri mbi Islamin
Sipas Seydit, organizata zgjedh fëmijët e familjeve që kanë më pak njohuri mbi Islamin, ndërsa shembuj në lidhje me këtë mund të shihen edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Siç thotë ai, këta njerëz pranojnë gjithçka që u thonë ata. “Kam shokë dhe të afërm. Ata janë njerëz me zemër të pastër, megjithatë, meqenëse fenë e kanë mësuar nga ta dhe meqenëse nuk kanë pasur baza nga familjet e tyre, pranojnë gjithçka që ju thonë. Po t’u thotë sot Fetullah Güleni të vendosin kryq me ndonjëfarë arsye, ata e vendosin”, shprehet Seydi.
Seydi thotë se në një kohë, FETO ka bërë veprime që kanë degraduar Islamin nën emrin “dialogu ndërfetar”.
“Të vendosësh Kur’anin, Tevratin dhe Ungjillin në një tryezë, ta lexosh Kur’anin në mjedise me alkool. Këto janë gjëra që dëmtojnë Islamin dhe që nuk përputhen me Islamin. Personi që ka baza islame e kupton lehtë këtë. Sepse, sipas të kuptuarit tonë, Hz. Muhamedi është profeti i fundit. Kur’ani është libri i fundit. Librave para tij u ka kaluar autoriteti. Edhe përkundër kësaj, ata i konsiderojnë të barabartë Kur’anin me librat e tjerë. Kjo nuk është diç në përputhshmëri me filozofinë islame. Nuk duhet pritur të vriten qindra persona në incidente të puçit që të kuptohet kjo gjë”, thekson Seydi.
Duke nënvizuar se FETO është një strukturë që punon bazuar në para dhe se deri më sot nuk ka parë të kenë bërë ndonjë shërbim pa pasur përfitime në para, Seydi thotë se “Ata nuk bëjnë shërbime, por punojnë si kompani tregtare. Intervenojnë nëse u vonohet kësti. Nuk kanë aspak tolerancë. Gjithçka bëjnë sipas parave. Nuk mendoj se aty ndihmohen shumë të varfërit.”
FETO nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë, por me tërë botën
Lufta kundër FETO-s, vazhdon Seydi, ka mungesë për sa i përket përhapjes nëpër tërë botën. “Disa familje shqiptare dhe disa familje maqedonase këtu ende i dërgojnë fëmijët në shkollat e FETO-s. Thonë se kjo çështje ka të bëjë me Turqinë dhe se nuk u intereson atyre. Posaçërisht përmes punimeve të qeverisë turke, duhet rrënuar ky perceptim dhe duhet treguar se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me Erdoğanin dhe Turqinë, porse, duke qenë organizatë terroriste ndërkombëtare, ajo ka të bëjë me tërë botën,” vlerëson Seydi.
Si një person i cili ka përjetuar këtë periudhë, Seydi thotë se është e nevojshme që askush të mos ketë marrëdhënie me këtë organizatë, të mos ngelin të heshtur ndaj dëmit dhe së paku ta bojkotojnë atë, duke shtuar se kjo gjendje nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë, por është gjendje e cila ka të bëjë me tërë botën.
news_share_descriptionsubscription_contact
