BEOGRAD (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Forumin e Biznesit Serbi-Turqi në Beograd tha se Turqia dëshiron që Ballkani të përmendet me shpresë për një të ardhme të ndritshme me integrim, paqe dhe interesa të përbashkëta, duke shtuar se nuk dëshirojnë ndarje dhe copëtim për Ballkanin, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne nuk duam ndarje dhe copëtim në Ballkan. Po ashtu, dua të potencoj se jemi kundër që dikush t'i konsiderojë këto shtete si oborr i pasëm i tyre", tha Erdoğan në fjalën e tij në Forumin e Biznesit Turqi-Serbi në Beograd, ku gjendet për vizitë zyrtare dyditore.
Erdoğan theksoi se ndihet i lumtur që viziton Serbinë në cilësi të presidentit, pasi herën e fundit e kishte vizituar atë shtatë vite më parë, në kohën kur ishte kryeministër. Ai falënderoi homologun e tij serb Aleksandar Vuçiç për mikpritjen.
Presidenti turk tha se ekziston vullnet reciprok për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me Serbinë, duke e quajtur atë si shtet mik dhe shtet kyç për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Duke theksuar se kjo vizitë është dëshmi për rëndësinë që ia japin marrëdhënieve me Serbinë, Erdoğan tha se prania e 200 biznesmenëve turq, gjithsej 700 në sallë, është tregues i vullnetit për avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ai tha se mund të ketë prej tyre që xhelozojnë këtë integrim apo takim të Serbisë dhe Turqisë.
"Le të ekzistojnë, por ne do ta shikojmë punën tonë. Do t'i vazhdojmë punimet tona mbi parimin fito-fito. Do t'i ndajmë përvojat dhe njohuritë tona dhe do ta rrisim solidarizimin. Besojmë se me Serbinë kemi vizion të përbashkët për të ardhmen e rajonit", theksoi Erdoğan.
Duke folur edhe për arritjet e Turqisë, Erdoğan tha se brenda 15 viteve, Turqia është një tregim suksesi në ekonomi, e cila vetëm në periudhën 2011-2015 ka shënuar rritje ekonomike prej 7,1 për qind dhe 5,1 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, duke ecur drejt qëllimeve të veta.
"Faktikisht, ndryshimet që ndodhën në ekonominë e Turqisë në 15 vitet e fundit janë tregim suksesi", theksoi presidenti turk.
Po ashtu, Erdoğan potencoi se në 15 vitet e fundit Turqia ka pesëfishuar eksportet e saj, duke rikujtuar se së fundmi ato kanë arritur në nivelin prej 153 miliardë dollarësh. Ai shtoi se në kuadër të synimeve të vitit 2023, synojnë që këtë shifër ta ngrisin në 500 miliardë dollarë dhe se synojnë që Turqia të jetë një nga dhjetë ekonomitë më të mëdha të botës.
"Projektet dhe investimet tona të mëdha po i vazhdojmë me vendosmëri, pa lejuar plasaritje të brendshme dhe të jashtme", tha Erdoğan.
Ai përmendi projektet e realizuara, siç janë Ura Osmangazi mbi Detin Marmara, Urën Yavuz Sultan Selim mbi Bosfor dhe Tunelin Euroaziatik, si dhe projektet të cilat pritet të përfundojnë në të ardhmen, siç janë Ura e Çanakalasë 1915 dhe aeroporti i tretë i Stambollit, faza e fundit e të cilit pritet të përfundojë në vitin 2023, duke arritur kapacitet prej 150 deri 200 milionë pasagjerësh.
Erdoğan tha se në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2018 do të hidhet edhe gurthemeli i Kanalit të Stambollit, i cili do të jetë kanal paralel me Grykën e Bosforit.
"Hapja e një kanali paralel me Grykën e Bosforit në Stamboll, pra, atë që e quajmë Kanali i Stambollit, është ëndrra ime. Në dashtë Zoti, me gjasë të madhe gurthemelin e tij do ta hedhim në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2018", u shpreh presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan.
Forumi u organizua nga Oda e Tregtisë së Serbisë, Komiteti për Marrëdhënie Ekonomike të Jashtme e Turqisë dhe zyra e Halkbank në Serbi. Përveç presidentëve të të dy vendeve, forumi u ndoq edhe nga ministra të të dy vendeve.
Vuçiç: Në Serbi, papunësia është zvogëluar falë investitorëve turq
Presidentit serb Aleskadar Vuçiç deklaroi se investimet e investitorëve turq në Serbi kanë kontribuar në masë të madhë në rënien e papunësisë në vend.

Vuçiç, i cili sot në Beograd priti presidentin Erdoğan, iu drejtua pjesëmarrësve në Forumin e Biznesit Serbi-Turqi. Në adresimin e tij, presidenti serb foli për mundësitë dhe kushtet që Serbia u ofron investitorëve nga Turqia.
“Investitorë të dashur turq, kushdo që ju ofron kushte më të mira sesa në Serbi, ejani me ne dhe ne do t’i rregullojmë kushtet tona dhe do të keni pesë për qind kushte më të mira sesa kudo tjetër në rrethinë. Për këtë ju garanton Qeveria e Serbisë dhe unë”, deklaroi Vuçiç.
Siç tha Vuçiç, qëllimi i Serbisë është që të ketë sa më shumë investitorë turq në Serbi dhe të bashkëpunojnë sa më mirë me Turqinë në këtë fushë. Ai theksoi se investitorët turq kontribuan në mënyrë të konsiderueshme në rënien e normës së papunësisë në Serbi.
“Niveli ynë i papunësisë ishte 26 për qind dhe sot ajo ka rënë në 11,8 për qind. Kjo falë kompanive turke, sidomos në zonat e varfra, si dhe angazhimit dhe vullnetit të mirë të presidentit Erdoğan për të dërguar kompani turke të veprojnë në Serbi”, deklaroi Vuçiç.
Në vijim, ai falënderoi Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Tregtisë dhe Turizmit të Serbisë, Rasim Ljajiq, për të cilin siç tha, “luftoi për marrëdhënie më të mira me Turqinë dhe falë të cilit Serbia dhe Turqia sot kanë marrëdhënie tejet të mira, ndoshta edhe më të mira në historinë bashkëkohore politike.
"Unë dua që juve, turqve, t'ju them një gjë. E di se në vendin tuaj, si dhe në mbarë botën, ka nga ata që do të thonë diçka kundër presidentit tuaj, Recep Tayyip Erdoğan. Unë këtu kam pritur pranuar shumë presidentë dhe shumë kryeministra. Ende nuk kam takuar dikë që ka bërë një orar kaq të vështirë për veten e tij. Kjo tregon për një forcë dhe energji për të punuar 24 orë, siç është presidenti juaj. U them turqve se ju ditët ta respektoni këtë", tha presidenti i Serbisë Vuçiç.