Fatjon Cuka
18 Prill 2018•Përditësim: 18 Prill 2018
TIRANË (AA) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, po viziton Shqipërinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mogherini është takuar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, pa praninë e mediave, ndërsa vizita e saj po realizohet pasi Komisioni Evropian (KE) ka vendosur të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), për Shqipërinë.
Shefja e diplomacisë evropiane është takuar edhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama, ndërsa në përfundim të takimit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
Mogherini sot do të realizojë një vizitë edhe në Maqedoni, për të cilën KE rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.