Ilgın Karlıdağ
27 Tetor 2015•Përditësim: 27 Tetor 2015
BRUKSEL (AA) – Presidenti palestinez Mahmud Abas paralajmëroi për një përshkallëzim të tensioneve në Lindjen e Afërt dhe kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian në procesin e qetësimit të tensioneve dhe zgjidhjen e konfliktit shumë dekadash në mes palestinezëve dhe izraelitëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbrëmë vonë, Abbas në Bruksel u takua me përfaqësuesen e lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, ndërsa tema kryesore e takimit ishte gjendja aktuale dhe incidentet në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem.
"Situata në Palestinë është shumë e vështirë dhe mund të përkeqësohet më tej. Kjo është ajo nga e cila kam frikë. Shkaku kryesor i krizës është zhgënjimi i të rinjve dhe shpresës së tyre", tha Abbas.
Duke kritikuar politikat e Izraelit, Abbas akuzoi qeverinë izraelite që nuk respekton rregullat në lidhje me kompleksin Al-Aksa në Jerusalem, i cili është një vend i shenjtë për muslimanët dhe hebrenjtë.
"Ne kërkojmë të kthehet dhe të ruhet status quo-ja në Jerusalem, por fatkeqësisht qeveria izraelite po bën të kundërtën", ka thënë Abbas.
Palestinezët akuzojnë Izraelin se po përpiqet të marrë përsipër kontrollin administrativ të xhamisë Al-Aksa, kurse Izraeli pohon se çështja e Al-Aksa keqpërdoret nga të rinjtë palestinez për të shkaktuar trazira në rajon.
Komisionerja evropian Mogherini tha se BE-ja mbështet zgjidhjen e çështjeve në Lindjes së Afërt në modelin e themelimit të "dy shteteve".
"Kur mendoj për procesin e paqes dëshpërohem. Mund ta imagjinoj se si ndjehen palestinezët", tha Mogherini dhe shtoi se një zgjidhje politike dhe dialogu i pashmangshëm mund të sigurojnë të ardhme më të mirë dhe siguri për palestinezët dhe izraelitët.