Zülfiya Yakup
16 Janar 2019•Përditësim: 16 Janar 2019
PRISHTINË (AA) - Kosova do të jetë qendër rajonale për zhvillimin e ekonomisë dixhitale, deklaroi ministri Kosovar i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, në Forumin Ekonomik, i cili po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Beqaj para ministrit të Ekonomisë të EBA-ve, Sultan bin Saeed Al Mansoori, si dhe pjesëmarrësve të tjerë, ka folur për mundësitë që Kosova jep për zhvillimin ekonomik për rajonin dhe më gjerë.
“Vizioni im është Kosova të jetë një qendër rajonale për zhvillimin e ekonomisë dixhitale”, deklaroi ministri Beqaj, i cituar në një kumtesë të kabinetit të tij.
Ai para homologëve arabë, thuhet më tej, përmendi arsyet pse duhet të investohet në Kosovë.
“Vendndodhja strategjike; infrastruktura; popullsia; kosto të ulëta operacionale; legjislacioni dhe marrëveshjet; ambienti i biznesit në Kosovë; stabiliteti ekonomik (PBB); Qeveria ka ndarë një sasi të konsiderueshme të investimeve direkte në sektorin privat për të stimuluar inovacionin brenda ndërmarrjeve dhe për të rritur potencialin e eksportit dhe stabiliteti ekonomik”, tha ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Beqaj.
Beqaj ka përshkruar Kosovën si një vend me mundësi të jashtëzakonshme, për çka ftoi investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ta konsiderojnë Kosovën seriozisht si një mundësi për investime.
Duke përmendur axhendën dixhitale të Komisionit Evropian për Kosovën, Beqaj tha se konsideron që Republika e Kosovës është një treg tërheqës për kompanitë prodhuese duke përmendur hapat konkret që Kosova po bën për ta zhvilluar sektorin e inovacionit dhe teknologjisë, siç janë infrastruktura ligjore, fizike, financiare dhe paketa fiskale.