Fatjon Cuka
16 Janar 2019•Përditësim: 16 Janar 2019
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, për përmbylljen e procesit rreth ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, i cili është shpallur në Gazetën zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Meta në mesazhin e tij thekson se kjo arritje përbën një hap shumë te rëndësishëm në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Ju përgëzoj përzemërsisht për përmbylljen me sukses të procesit të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku dhe gjuha shqipe zë zyrtarisht vendin e saj të merituar në Maqedoni. Kjo është një ngjarje historike dhe kuptimplote për shqiptarët, një arritje e madhe dhe e rëndësishme që i kontribuon demokracisë dhe garantimit të të drejtave të barabarta për qytetarët e të gjitha kombësive që jetojnë në Maqedoni”, thuhet në mesazhin e Metës, publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë.
Presidenti i Shqipërisë thekson më tej se shqiptarët kanë qenë gjithmonë të orientuar drejt vlerave euroatlantike dhe në rastin konkret, sipas tij, demonstruan një maturi të admirueshme dhe qëndrim konstruktiv.
Me shpalljen në Gazetën zyrtare, ligji zyrtarisht ka hyrë në fuqi dhe gjuha shqipe bëhet gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni.
Kujtojmë se më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve, sipas të cilit në të gjitha organet e pushtetit shtetëror krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të vendit dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe. Presidenti i vendit refuzoi dekretimin e Ligjit me arsyetimin se është anti-kushtetues, por më vonë më 14 mars, ky ligj sërish u votua në Kuvendin e Maqedonisë dhe së fundmi në Gazetën zyrtare u shpall pa nënshkrim të presidentit.