Admir Fazlagikj
02 Dhjetor 2016•Përditësim: 03 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) - Procesi integrues i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, kriza me refugjatët dhe sfida më të cilën sot përballet Evropa kanë qenë temat kryesore gjatë takimit të sotëm në Shkup mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Poposki dhe homologut të tij nga Hungaria, Peter Sijarto, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për mediat pas takimit, ministri Poposki tha se në takim edhe një herë është nënvizuar përkrahja të cilën Maqedonia e merr në vazhdimësi nga Hungaria në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe BE.
“Në fushën e bashkëpunimit dypalësh konkluduam se kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike, dhe se jemi duke punuar në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ekonomik si një fushë e rëndësishme pasi kemi zhvillime pozitive në këtë drejtim. Pikërisht ministri Sijarto ishte ai që në emër të qeverisë hungareze hapi shtëpinë e parë tregtare hungareze në Maqedoni e cila ishte shtëpia e parë tregtare në rajon”, tha Poposki. Ai ka shtuar se ka përfunduar procesi i negociatave për linjën e parë ajrore Shkup-Budapest që do të jetë një impuls për turizmin dhe marrëdhëniet ekonomike.
Poposki tha se në pjesën e krizës me refugjatët Hungaria ka pasur një rol aktiv për përballje me këtë sfidë. “Falënderova nga fakti se në vazhdimësi kemi prani të policëve hungarez në Maqedoni të cilët ndihmojnë në sigurimin e kufirit jugor”, tha Popoiski.
Ministri hungarez për Punë të Jashtme dhe Tregti, Peter Sijarto nga ana e tij tha se Maqedonia gëzon përkrahjen e Hungarisë për proceset integruese euro-atlantike për të shtuar se vendi tashmë është dashur të jetë anëtar i BE-së dhje NATO-s.
“Ne jemi vend fqinj i Ballkanit Perëndimor dhe e kuptojmë rëndësinë dhe dallimin kur ka tensione në Ballkanin Perëndimor dhe kur ka paqe dhe prosperitet. Rruga më e shpejtë për paqe dhe stabilitet është integrimi euroatlantik”, tha Sijarto i cili lavdëroi pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionet e NATO-s.
Ai tha se është e papranueshme që një vend që nuk është pjesë ë BE-së, siç është Maqedonia të mbrojë nga refugjatët kufijtë e BE-së, të cilët hyjnë në Maqedoni nga një shtet tjetër i BE-së, ndërkohë që Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të çel negociatat për anëtarësim të Maqedonisë.
Duke folur në pjesën që ka të bëjë me krizën me emigrantët, ministri hungarez tha se tani ekziston një perceptim se fluksi i emigrantëve është ndalur nga marrëveshja BE-Turqi e cila sipas tij është pjesërisht e vërtetë.
“Pjesa tjetër e së vërtetës është se fluksi është ndaluar nga shkaku se vendet e Ballkanit Perëndimor sollën vendim për të kontrolluar kufijtë e tyre. Ne duhej të shfrytëzojmë momentin nga nënshkrimi i marrëveshjes BE-Turqi dhe të mbrojmë veten. Nëse sërish fillon fluksi i refugjatëve ne përsëri do të duhet të mbështetemi te Maqedonia", tha Sijarto.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me ndihmën të cilën BE-ja ua ofron shteteve të prekura nga kriza me emigrantët, ai tha se “BE-ja do të duhet të përkrahë më shumë shtetet të cilat bartin barrën më të madhe, fillimisht shtetet rreth Sirisë, siç janë Turqia, Jordania dhe Libani, ndërkohë që e cilësoi si shumë legjitime kërkesën e Maqedonisë për ndihmë më të madhe nga BE-ja.