Senada Ibraimova
02 Dhjetor 2016•Përditësim: 03 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Danela Arsovska dhe kryetarët e sektorëve të odave në mënyrë tradicionale u ndanë mirënjohjen “Cilësia maqedonase” përfaqësuesve të dhjetë ndërmarrjeve të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas kryetares së Lidhjes së Odave Ekonomike, Danela Arsovska ky manifestim ka për qëllim nxitjen e investitorëve të huaj të cilët, siç tha ajo, janë ambasadorët e vërtetë të shtetit.
“Lidhja e Odave Ekonomike si rrjet kryesues afarist në Maqedoni, me më shumë se 20 mijë anëtarë, me 29 oda ekonomike dhe me mbi 30 grupacione, shoqata dhe asociacione, përcjell dinamikën e ndodhive në botën e biznesit dhe pikërisht këtë kompanitë e njohin, meqë janë bashkëkohore dhe të gatshme për sfida të reja”, shtoi Arsovska.
Ndërkaq Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në fjalën e tij mes tjerash tha se zgjedhja e ndërmarrjeve si fitues bëhet me kritere të sakta dhe të ashpra, nga komisioni i përbërë nga anëtarë të kabinetit të tij, dhe shtoi se zgjedhja fare nuk ka qenë e lehtë.
“Jo pse ka pak, porse ka shumë kompani me arritje të jashtëzakonshme edhe në vend edhe jashtë tij. Kjo është tregues se gjithnjë e më shumë subjektet tona ekonomike me përkushtim punojnë në cilësinë e tyre”, theksoi Ivanov. Në manifestimin ishin të pranishëm një numër i madh i afaristëve, përfaqësuesve të institucioneve, diplomat dhe mysafirë tjerë.
Ky manifestim mbahet për çdo vit për dhënien e mirënjohjes dhe promovimit të arritjeve afariste të investitorëve vendor për vitin në vazhdim, ku ndahen 10 mirënjohje “Cilësia maqedonase”.