Admir Fazlagikj
19 Prill 2017•Përditësim: 20 Prill 2017
SHKUP (АА) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov priti në takim kryesuesin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) Mladen Ivaniq, me ç’rast është biseduar për të gjitha çështjet me interes të përbashkët mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ivanov u shpreh se dy shtetet karakterizohen me miqësi tradicionale të fuqishme, qëndrime identike për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal me qëllime të përbashkëta strategjike, paqen dhe stabilitetin në rajon, anëtarësimin në strukturat evropiane.
“Republika e Maqedonisë në vazhdimësi në çdo mënyrë të mundur hapur dhe qartë e jep mbështetjen ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të BeH-së. E përshëndesim përparimin në procesin e eurointegrimeve dhe presim që së shpejti BeH t’i dorëzojë përgjigjet e pyetësorit pas çka BE-ja do të jep mendim pozitiv për anëtarësimin e BeH-së në Bashkimin Evropian”, tha Ivanov.
Mes tjerash, Ivanov tha se kanë shkëmbyer informacione edhe për gjendjen aktuale në BeH dhe në Maqedoni.
“E njoftova Ivaniq për ndodhitë pas zgjedhjeve që i patëm më 11 dhjetor. Për pengesën juridike dhe politike e cila u krijua për ndarjen e mandatit për themelimin e Qeverisë së Maqedonisë. E njoftova për platformën paszgjedhore e cila në njëfarë mënyre është pengesë politike dhe është në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe Marrëveshjen e Ohrit. Kjo platformë e sjell Maqedonië në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë së një shteti tjetër me çka kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe unitarizmin e shtetit”, theksoi presidenti Ivanov.
Ai shtoi se bashkarisht janë pajtuar se, siç tha, ndërhyrja e tillë në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë është nxitje për realizimin e ideve të mëdha nacionaliste dhe se rajonit i nevojitet ulje e tensioneve dhe ndryshim të retorikës.
Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve, tha Ivanov, tani për tani është rreth 155 milionë euro, me çka ka shkëmbim të balancuar.
Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Mladen Ivaniq shprehu kënaqësinë e tij nga vizita në Maqedoni duke theksuar se marrëdhëniet mse dy vendeve janë më të mirat në rajon.
“Mendoj se marrëdhëniet e BeH-së dhe Maqedonisë janë ndoshta edhe më të mirat në rajon. Edhe në të kaluarën edhe tani nuk ka asnjë çështje për të cilën BeH dhe Maqedonia kanë pikëpamje të ndryshme dhe mendoj se ky është një nga shembujt e bashkëpunimit tejet të mirë dhe respektin e ndërsjellë”, tha Ivaniq.
Ai tha se Maqedonia dhe BeH-ja kanë qëllim të përbashkët, afrimin drejt BE-së, për çka tha se nga BE-ja presin mbështetje më të madhe. Mes tjerash sot në Shkup u mbajt edhe takim plenar të delegacioneve zyrtare të të dyja shteteve.
Në ditën e dytë të vizitës do të mbahet biznes forum me pjesëmarrje të afaristëve nga Maqedonia dhe BeH-ja, ku do të adresohen Ivanov dhe kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Mladen Ivaniq.