Admir Fazlagikj
08 Shtator 2017•Përditësim: 08 Shtator 2017
SHKUP (АА) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë, dërgoi mesazh urimi për qytetarët e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Nga të gjitha dëshirat dhe synimet e njeriut, nuk ka më të fuqishme dhe më afatgjata se synimet për liri dhe drejtësi. Pas betejave shumëshekullore, synimin e pandarë të Maqedonisë për liri e realizuam më 8 shtator të vitit 1991. Ne qytetarët e Maqedonisë u prononcuam për një Republikë sovrane, të pavarur, qytetare dhe demokratike të Maqedonisë. Më 8 shtator ne nuk votuam për parti të ndryshme, por për një dhe të vetme, Republika e Maqedonisë. Votuam për një shtet në të cilin lirshëm do t’i realizojmë vlerat themelore maqedonase dhe parimet kulmore evropiane dhe civilizuese, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, bashkëjetesën dhe respektimin e diversitetit. Votuam për një shtet që do të sigurojë drejtësi sociale, mirëqenie ekonomike dhe përparim të jetës personale dhe të përbashkët”, thekson presidenti Ivanov në urimin e tij.
Ai thekson se me shpalljen e pavarësisë Republika e Maqedonisë ka ndryshuar shumë plane.
“Me shpalljen e pavarësisë, ndryshuam shumë plane. Me atë u ekspozuam në pasigurinë që të jemi përjashtim nga shumë rregulla. Lirinë e arritëm, por drejtësia na u shkurtua. Rruga deri te njohja dhe integrimi ndërkombëtar ishte, dhe ende është i mbushur me standard të dyfishta, mohim dhe bllokada. Doemos duhej të luftonim për të drejtat që vetvetiu na takojnë, të drejtën e vetidentifikimit, dinjitetit njerëzor dhe prosperitetit”, thekson presidenti i Maqedonisë.
Më tej, në urim, Ivanov thekson se drejtësia për të cilën lufton shteti do të realizohet kur vendi të jetë anëtar i barabartë në NATO dhe BE.
“Por, edhe përkundër të gjithave, nuk hoqëm dorë nga vlerat dhe parimet themelore. Vazhdojmë ta ndërtojmë Republikën e Maqedonisë si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, në të cilën populli maqedonas, së bashku me të gjitha komunitetet e tjera janë pjesë e kombit qytetar maqedonas. Nuk heqim dorë as nga synimi për drejtësi, meqë jemi të vetëdijshëm se liria e vërtetë nënkupton edhe realizimin e drejtësisë. Ndërsa drejtësia do të realizohet kur të bëhemi vend anëtar i barabartë i NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.
Presidenti Ivanov u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të gjithë së bashku të vazhdojnë të punojnë në ndërtimin e Maqedonisë prosperuese.