Bekim Laci
08 Shtator 2017•Përditësim: 09 Shtator 2017
SHKUP (AA) - Një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, ka vizituar kompleksin e varrezave në Butel të Shkupit ku janë vendosur kurora lulesh mbi varret e ish-presidentëve të ndjerë, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, raporton Anadolu Agency (AA).
Kortezhi në të cilin përveç kryeministrit Zaev ndodhej edhe zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, deputetë dhe figura të tjera nga jeta politike dhe shoqërore e Maqedonisë, dhe ambasadorë të huaj të akredituar në vend, fillimisht vendosi lule dhe u përkul para varrit të presidentit të ndjerë Boris Trajkovski, që më pastaj në këmbë të vazhdoj te varri i presidentit të parë të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov, të cilin gjithashtu e nderuan me kurora lulesh.
Ivanov mesazh urimi për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë
Ndryshe, Republika e Maqedonisë shënon sot 26-vjetorin e referendumit të suksesshëm në të cilin qytetarët e Maqedonisë u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.
Mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendum, pozitivisht iu përgjigjën pyetjes "A jeni për një Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë".
Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Pas 26 viteve të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në BE dhe NATO, ndërtimi i institucioneve në shërbim të qytetarëve dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe kualitetit të jetës mbeten qëllime të vendit, ndërkohë që edhe shpërngulja e të rinjve është një nga sfidat më të rëndësishme të shoqërisë në Maqedoni.