Admir Fazlagikj
02 Korrik 2017•Përditësim: 02 Korrik 2017
SHKUP (АА) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot priti në takim ambasadorin Metju Nimic, përfaqësues i posaçëm i Sekretarit të OKB-së për çështjen e dallimeve të emrit me Greqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga kabineti i presidentit Ivanov, informojnë se në takim është shqyrtuar situata aktuale në bisedimet për tejkalimin e kësaj çështjeje.
Siç informojnë nga kabineti, presidenti Ivanov e ka përshëndetur konstruktivitetin dhe fokusimin në masat për ndërtimin e besimit mes dy shteteve dhe ka thirrur në zgjerimin e tyre dhe futjen e përmbajtjeve të reja.
Presidenti i Maqedonisë porositi se Republika e Maqedonisë edhe më tej do të merr pjesë në procesin që udhëhiqet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara dhe theksoi se është e nevojshme që të krijohet atmosferë pozitive me qëllim të kuptuarit më të mirë dhe respektit."Pala maqedonase vite me radhë jep kontribut në kontinuitet dhe iniciativa në drejtim të ndërtimit të besimit mes dy shteteve dhe dy shoqërive. Është e nevojshme për të dhënë një impuls shtesë nga të dyja palët në zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila është thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit", ka potencuar Ivanov në takimin me ambasadorin Nimic.
Ndër të tjera, presidenti Ivanov tha se në procesin i cili udhëhiqet në kuadër të Kombeve të Bashkuara, është e domosdoshme që t'u përmbahemi në mënyrë strikte në kornizën në të cilën udhëhiqen bisedimet - rezolutat e Këshillit të Sigurimit, Marrëveshjen e përkohshme dhe aktvendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Në këtë drejtim, presidenti Ivanov e theksoi nevojën e respektimit të të drejtës ndërkombëtare dhe respektimin e dtyrimeve ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së në bisedimet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic deri më 4 qershor do të qëndrojë në Shkup në bisedime me zyrtarët e lartë shtetërorë për mundësitë e zgjidhjes së çështjes së emrit.
Nga press shërbimi i OKB-së njoftuan se Nimic vjen në Shkup me fetsë të Qeverisë së Maqedonisë me qëllim që të diskutohet për mënyrat për arritjen e progresit në bisedimet me ndërmjetësim të OKB-së për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit.
Mes tjerash në njoftim thuhet se me ftesë të Qeverisë së Republikës së Greqisë, parashihet që Nimic të udhëtojë në Athinë.
Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së në bisedimet midis Maqedonisë dhe Greqisë, herën e fundit i vizitoi dy vendet në fund të muajit korrik në vitin 2014.