Dzihat Aliju
20 Dhjetor 2017•Përditësim: 21 Dhjetor 2017
SHKUP (AA) - Me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke që çdo vit shënohet më 21 dhjetor në Maqedoni, presidenti i vendit Gjorge Ivanov ka pritur në rezidencën e tij Villa Vodno në Shkup mësimdhënës dhe nxënës të shumtë turq nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ivanov rikujtoi se arsimi në gjuhën turke në Maqedoni filloi më 21 dhjetor të vitit 1944, duke shtuar se në këtë mënyrë, të gjithë qytetarëve të vendit u janë ofruar kushte të barabarta, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhës.
Ivanov tha se Maqedonia ka qenë vendlindja e shumë figurave të shquara në fusha të ndryshme, siç janë Mustafa Kemal Ataturku, Fethi Okjar, Jahja Kemal, Xhedi Osman dhe Abdulhakim Hikmet Dogan, duke shtuar se ndihen krenar nga ky fakt dhe mozaik kulturor. Ai vuri theksin në miqësinë mes Maqedonisë dhe Turqisë.
"Që nga pavarësia, ne jemi përballur me vështirësi serioze, si mosnjohje, braktisje dhe embargo. Megjithatë, ashtu siç thotë edhe populli, miku i mirë njihet në ditë të vështira. Turqia tregoi se është mbështetës dhe mik i qëndrueshëm i Maqedonisë fillimisht duke e njohur pavarësinë tonë, e më pas me mbështetjen aktive në rrugën euroatlantike", tha presidenti i Maqedonisë, Ivanov.
Ai shtoi se dy shtetet do të forcohen edhe më tej duke e mbështetur njëri-tjetrin.
Ndërkaq, kryetari i Unionit të Organizatave Civile Turke në Maqedoni (MATUSITEB), Husrev Emin, në një deklaratë për gazetarët pas pritjes, tha se festa e Arsmimit në Gjuhën Turke është treguesi dhe dëshmuesi më i mirë i pranisë së turqve në Maqedoni.
Nga ana tjetër, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të organizojë aktivitete të ndryshme me rastin e kësaj dite. Në këto aktivitete pritet të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavuşoğlu.