Senada İbraimova
30 Mars 2017•Përditësim: 31 Mars 2017
SHKUP (АА) – Jubileu i 15-të i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë sot u shënua me një panel diskutim me temë “Biznes klimë më të mirë për biznes, pavarësi dhe integritet”, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Konfederata theksojnë se, ky jubile prej 15 vitesh ekzistim, e shënojnë me një rrjet të madh të anëtarëve, projekteve të shumta, partneritete me organizatat kyçe ndërkombëtare si dhe me prioritete qartë të definuara për përmirësimin e biznes klimës në shtet.
Kryetari i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë, Mile Boshkov, në fjalën e tij theksoi se gjatë viteve të kaluara së bashku me partnerët e tyre të organizatave ndërkombëtare kanë arritur të ndikojnë në përmirësimin e rrethimit afarist në Maqedoni.
Lidhur me ndikimin e krizës politike në shtet mbi konfederatën, Boshkov tha se “Kompanitë çdo herë janë në pritje dhe taktizojnë kur është fjala për investimet e reja, për përparimin e ri apo për fitimin e tregjeve të reja. Ashtu që ne presim që kriza politike së shpejti të përfundojë me qëllim që së bashku të krijojmë politikën e re ekonomike”.
Si pika më kritike me të cilat përballet ekonomia, Boshkov i veçoi, qasjen e pamjaftueshme deri te financat nga punëdhënësit, gjegjësisht biznesmenët, ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, mossundimi i ligjit, kultura e dobët sipërmarrëse si dhe korrupsioni.
“Për këto 15 vite, Konfederata ka luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e rrethimit afarist, nxitjen e konkurrentshmërisë dhe etikës afariste, zhvillimin e dialogut në bashkësinë afariste dhe ndërtimin e marrëdhënieve partnerike”, theksoi në fjalimin e tij ministri i Financave, Kiril Minovski.
Ai shtoi se ekonomia e shëndoshë dhe rritja e qëndrueshme ekonomike bazohen në kondicionin dhe potencialin e sektorit privat. Sipas tij, sektori privat është dhe duhet të jetë fuqia lëvizëse e ekonomisë vendore, ndërsa siç tha, politikat ekonomike të qeverisë “janë në funksion të mbështetjes së sektorit privat”.
Organizimi i ngjarjes mbështetet nga projekti “Avancimi i dialogut social”, të cilin e financon Bashkimi Evropian, ndërsa e zbaton Organizata Ndërkombëtare e Punës.