Sibel Vezaj
13 Dhjetor 2017•Përditësim: 14 Dhjetor 2017
PRISHTINË (AA) - Në mbledhjen e sotme të Komitetit Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re”, të mbajtur nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj sot u arrit marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, me të cilën do të investohen mbi 1 miliard euro në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga zyra e Kryeministrisë thuhet se në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e kompanisë amerikane “Contour Global”, u arrit marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
“Marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës. Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës. Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40 për qind dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Në komunikatë po ashtu bëhet e ditur se me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës.
“Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023. Do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit. Ndërtimi i Termocentralit 'Kosova e Re' është ngjarje historike për popullin e Kosovës sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale”, thuhet në komunikatë.