Figen Shaban
30 Qershor 2017•Përditësim: 01 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë organizoi konferencën me temë "Prokurimi Publik Nesër - Hapat Përpara", që shënon fundin e mbështetjes katërvjeçare të BE-së me anë të projektit "Përmirësimi i kapaciteteve administrative në fushën e prokurimit publik në Kosovë" për institucionet dhe sistemet e prokurimit publik në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i projektit është të paraqitet prokurimi publik si një mekanizëm themelor i vazhdueshëm për ekonominë e Kosovës dhe se si kontributi i BE-së ka ndihmuar në këtë drejtim.
Kryesues i seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa në hapje të konferencës theksoi se prokurimi publik përbën një pjesë të rëndësishme në tregun e brendshëm që është gurëthemel për integrim evropian dhe thelbi i zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA). Brusa tha se “Nëse duam një treg i cili funksionon në mënyrë efikase dhe përdor resurset apo paratë në mënyrë efikase, duhet t'i kemi rregullat të cilat respektohen nga secili”.
“Prokurimin publik ende mbetet një prej sektorëve në rrezik më të lartë ku korrupsioni është prezent. Vlerësimet e kohëve të fundit të rreziqeve të bëra në prokurimin publik konfirmojnë së institucionet kosovare duhet të përçojnë edhe më shumë masat mbrojtëse në mënyrë që të parandalojnë korrupsionin në prokurimin publik”, tha Brusa.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha tha se ligjet e pranueshme dhe moderne e veçanërisht, “Ligji për prokurimin publik”, ka një rëndësi themelore për krijimin e kushteve të barabarta dhe të drejta për të gjithë bizneset dhe qytetarët e Kosovës. Ai theksoi se duke iu përgjigjur ligjit në fushën e prokurimit publik, mundësohet zvogëlimi i fushës për korrupsion.