Admir Fazlagikj
30 Qershor 2017•Përditësim: 30 Qershor 2017
SHKUP (АА) - Sot dhe nesër në qytetin Dubrovnik të Kroacisë mbahet Samiti i drejtuesve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP). Me këtë rast në këtë samit për vizitë pune në Kroaci do të qëndrojë presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftojnë nga kabineti i presidentit të Maqedonisë, Ivanov do të mbajë fjalim në seancën plenare të Samitit të vendeve pjesëmarrëse në SEECP dhe do të realizojë takim bilateral me presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç.
Për nesër, është paralajmëruar që presidenti i Maqedonisë të marrë pjesë edhe të drejtohet në “Dubrovnik forum 2017”, që mbahet me temë “Bashkëpunimi Adriatik-Mesdhetar dhe siguria e Evropës Juglindore”.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, sot do të marrë pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të vendeve-anëtare të SEECP. Sipas njoftimit të MPJ-së, Dimitrov në fjalimin e tij në takimin do t’i shpalos pikëpamjet e Republikës së Maqedonisë lidhur me ngjarjet aktuale në rajon dhe ndikimin e tyre mbi bashkëpunimin e përgjithshëm, si dhe mënyrat për avancimin e të njëjtës veçmas në formatin e SEECP.
Ministri Dimitrov nesër pritet të marrë pjesë në Dubrovnik në forumin e dymbëdhjetë me radhë tradicional me titull “Bashkëpunimi Adriatik-Mesdhetar dhe siguria në Evropën Juglindore”, informojnë nga MPJ e Maqedonisë.
Në samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të SEECP, nikoqir i së cilës është Republika e Kroacisë, është paralajmëruar pjesëmarrja e presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, të Serbisë Aleksandar Vuçiç, Malit të Zi, Filip Vujanoviç, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov.
Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (South East Europe Cooperation Process - SEECP) është nisma e parë rajonale e vendosur në vitin 1996, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, intensifikimin e bashkëpunimit të shteteve në sferën e ekonomisë, demokracisë, gjyqësorit, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër aktivitetet jolegale.
Qëllimi i kësaj nisme rajonale është që përmes forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe sigurimit të paqes në rajon, të mundësohet afrimi më i shpejtë drejt BE-së dhe NATO-s.
Anëtare të plotfuqishme në SEECP janë: Republika e Shqipërisë, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Rumania, Serbia, Turqia, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Republika e Kosovës. Republika e Maqedonisë trajtohet si vend themelues. Kryesimi me këtë nismë rajonale është rotacion mes vendeve anëtare me kohëzgjatje prej një viti.