Agim Sulaj
14 Nëntor 2019•Përditësim: 15 Nëntor 2019
Zyra e Komisionerit për Gjuhët (ZKGJ) nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bashkë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), kanë ndarë çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit, çmimin kryesor për përdorimin më të shpeshtë dhe më të drejtë të gjuhëve të huaja në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, e mori Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Ndarja e çmimit siç u tha në ceremoni u bë në bazë të monitorimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare në ueb faqet zyrtare duke përfshirë edhe rrjetet sociale të institucioneve përkatëse.
Komisioneri për gjuhë, Slavisha Mladenoviç tha se ndër vite është vërejtur një përmirësim i ministrive sa i përket përdorimit të gjuhëve zyrtare në portale.
“Situata të cilën e kemi parë në momentin e parë nuk qenë e kënaqshme. Në shumë raste kanë munguar informatat në gjuhët zyrtare, lajmet dokumentet dhe disa raste s’ka pas fare përkthim në gjuhet zyrtare, në shumicën e rasteve, në gjuhën serbe. Vazhdimisht kemi punuar me ministri dhe në shumicën e rasteve situata është përmirësuar gradualisht dhe goxha shumë”, tha Mladenoviç.
Ambasadori i OSBE-së, Jan Brathu, tha se me këto shpërblime synojnë të inkurajojnë të gjitha institucionet për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ai tha se Kosova ka obligim ta zbatojë kornizën ligjore sa i përket përdorimit të gjuhëve, por theksoi se gjuhët janë gjithashthu edhe një vlerë evropiane.
“Gjuhët janë të rëndësishme. Janë të rëndësishme për ne si individë, natyrisht. Sepse gjuhët definojnë se kush jemi ne si individë dhe gjithashtu definojnë marrëdhëniet tona me komunitetet tona. Gjuhët janë pjesë e identitetit tonë, kulturës tonë dhe është normale që individët dëshirojnë ta mbrojnë dhe ruajnë gjuhën e tyre”, tha Brathu.
Shqipe Hajredini nga OSBE-ja, duke shpjeguar kriteret e përzgjedhjes së institucioneve tha se pjesë e monitorimit kanë qenë institucionet e nivelit qendror, ministritë, organet ekzekutive dhe agjencitë. Ndërsa përbërja e jurisë ka qenë e përbërë nga OSBE dhe ZKGJ.
Përpos MAPL-së, gjithashtu janë shpërblyer me certifikata dhe dhurata simbolike edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.